“`html
Berisha: Gjatë 13 viteve, qeveria i shndërroi paratë e shqiptarëve në hotele e vila
Në një takim të zhvilluar në Laprakë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se qeveria ka vjedhur shqiptarët gjatë 13 viteve të saj në pushtet dhe paratë e tyre i ka shndërruar në hotele dhe vila.
Duke folur në “Foltoren” e organizuar në degën 11 të PD, Berisha u shpreh se portale dhe televizione mashtrojnë qytetarët shqiptarë nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke glorifikuar të keqen dhe duke fshehur të vërtetat.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju, demokratët dhe demokratët e Laprakës, për të gjithë banorët e kësaj zone, për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët.
Të dashur miq, ne hyjmë këtë janar në vitin e 13-të të opozitës, në vitin e 13-të të përballjes me një regjim, në radhë të parë, antishqiptar. Me një regjim që, si asnjë regjim tjetër në tërë historinë kombëtare, pakësoi në 10 vite shqiptarët më shumë se çdo epidemi, nga murtaja e zezë në vitet 1300, më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo pushtim.
Dhe për të gjithë ne, njerëz patriotë, njerëz atdhetarë, kjo është goditja më e rëndë, më e tmerrshme që ka marrë Shqipëria dhe kombi shqiptar. Në 10 vite, përzuri nga Shqipëria me politikat që ndoqi, 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm në zonën e Shengenit, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, vendet e Amerikës Latine, vendet e Lindjes së Mesme dhe kudo tjetër.
Së dyti, ne u përballëm këto 13 vite me një regjim i cili plaçkiti më shumë se çdo regjim tjetër në histori shqiptarët. Në rast se diktatori mizor, paranojak, Enver Hoxha, paratë dhe djersën e shqiptarëve i shndërroi në bunker dhe tunele, këta qeveritarë, djersën, mundin, paratë tuaja i shndërruan në parajsë, i shndërruan në llogari milionëshe, qindra milionëshe. I shndërruan në vila, në hotele, i shndërruan në pasuri të pamasë.
Nuk ka regjim më mizor se ai që kaluam në diktaturë, por ju them ju këtu me bindjen më të thellë, me sinqeritetin më të madh, se e gjithë Byroja Politike e Enver Hoxhës në 45 vite nuk ka vjedhur, pa i marrë bashkë, sa ç’kanë vjedhur tre drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ndër të tjera, ndërtojnë hotelin 20-katësh në plazh që kap shifrën e të paktën 70 milionë euro.
Jua dhashë këtë shembull për të kuptuar se çfarë regjimi ishte ky. U përballët 13 vite me një regjim që në mënyrë të vendosur shkatërroi një nga një vlerat e sapo krijuara në këtë sistem demokratik, vlerat e një shoqërie të lirë, të cilat duhet të konsolidoheshin.
Në qoftë se në diktaturë ne kishim një “Zëri i Popullit” që mashtronte shqiptarët, sot janë dhjetëra të tilla. Fletushka, portale, televizione që ju mashtrojnë nga mëngjesi gjer në darkë qytetarët shqiptarë. Glorifikojnë të keqen, fshehin të vërtetat”, tha Berisha.
“`
