Berisha për Rexhep Qosen: Respekt për kontributin

Berisha reagon për Rexhep Qosen: Pavarësisht kundërshtive që kishim…

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha u shprehu ngushëllimet familjes dhe popullit shqiptar të Kosovës.

Pavarësisht përplasjeve publike që kanë pasur në të kaluarën, kryedemokrati vlerësoi figurën dhe kontributin e akademikut si një nga zërat më të rëndësishëm të mendimit dhe çështjes kombëtare shqiptare.

“Akademiku Rexhep Qosja mbyll sytë përgjithmonë. Të dashur miq, dielli perëndoi përgjithmonë për akademikun Rexhep Qosja. Kultura, mendimi letrar dhe shoqëror e politik shqiptar, polemika dhe letërsia shqipe humbën një kollos të tyre, autor të një sërë veprash në këto fusha.

Pavarësisht kundërshtive, mospajtimeve dhe vlerësimeve të ndryshme që kam pasur me Prof. Rexhep Qosen, kam ruajtur dhe do të ruaj gjithmonë respektin dhe mirënjohjen time ndaj tij, veçanërisht për kohën kur ai ishte zëri publik i vetëm dhe i fuqishëm i shqiptarëve pa zë dhe të shtypur të Kosovës nga pushtuesi serb, dhe më vonë për mbështetjen e palëkundur që i dha Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për qëndrimet e tij kritike ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri.

Me këtë rast, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve, të afërmve dhe autoriteteve të Kosovës. I qoftë i lehtë dheu i tokës amë,” – shkroi Berisha.

Scroll to Top