Afatet e fundit për presidentin/ Politika në Kosovë, akuza për mosbashkëpunim
Java e fundit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në Kosovë duhej të shfrytëzohej për të gjetur një konsensus mes palëve, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu vlerëson se nuk ka reflektim dhe as vullnet nga partitë opozitare për postin e presidentit. Sipas saj, vendit nuk i duhen zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Është dashur që, gjithë kjo javë që kemi pasur përpara vetes, të shfrytëzohet në drejtim të arritjes së një konsensusi për të zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit – me mandat 5-vjeçar. Vendit nuk i duhen zgjedhje të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës,” tha Haxhiu.
Ajo gjithashtu theksoi se ende nuk e di kush është kandidati i opozitës për president. “Unë sot e kësaj dite nuk e di se kush është emri i kandidatit të opozitës apo të PDK-së, LDK-së për president. Nëse ju e dini më tregoni. Por unë të paktën deri tani, as nga takimet që ka pasur kryeministri Kurti, por as publikisht, nuk kam dëgjuar që këto dy subjekte politike kanë ndonjë emër për president.”
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, mendon se partia më e madhe nuk po prodhon zgjidhje. “Dhe vërtet është fatkeqësi; një është për shkak se është tepër fatkeqësi kur qytetarët e shohin si potencial për të qeverisur, ia besojnë dikujt me një masë aq të madhe, dhe në anën tjetër nuk kemi as qeverisje të mirë e as zgjidhje të problemeve kyçe. Por në zëvendësim të kësaj, Vetëvendosje po na jep një krizë të re politike ku qytetarët do të lihen të vetëm, e ai do të qeverisë kryeministri do të qeverisë i pambikëqyrur. Domethënë tipike për një sistem autoritar.”
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka konfirmuar se si grup nuk do të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, ku do të propozohen dy kandidatë nga një parti. “Asnjëherë, prej kur ka filluar diskutimi për president, nuk ka pasë konsultim serioz. Nuk ka pasë qëllim me ardhë deri te një president i cili ka tipare unifikuese dhe konsensuale. Ajo që u diskutua për dy muaj rresht është për Qeverinë e Kosovës, a do dikush me marrë përsipër me qenë në Qeverinë e Kosovës, po jo për me ardhë deri te një emër konsensual.”
Në rast të skadimit të afatit nga Gjykata Kushtetuese më 28 prill, vendi do të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve, duke pritur fundin e majit apo javën e parë të qershorit si data për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të tretat nacionale brenda dy vitesh.
