Berisha: Rama fshehu raportin e PE për Shqipërinë

Berisha: Rama fshehu raportin që ‘nxin’ Shqipërinë, mbuloi me propagandë mediatike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një videomesazhi akuzoi kryeministrin Rama se në “monologun e tij të së dielës” tentoi të fshehë raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Sipas tij, Rama nuk përmendi asnjë nga problematikat e ngritura në raport lidhur me zgjedhjet, korrupsionin dhe procesin e integrimit europian.

Lideri demokrat u shpreh se raporti dënon zgjedhjet në Shqipëri si një proces ku u zhduk kufiri mes shtetit dhe partisë, ku pati blerje vote dhe financime të paligjshme. Ai theksoi se në raport kërkohet heqja pa pengesa e imunitetit dhe goditet korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisë.

Berisha tha se Belinda Balluku vijon të ushtrojë pushtet të plotë në qeveri, ndërsa raporti europian evidenton rënien e Shqipërisë në indeksin e korrupsionit dhe mbrojtjen politike ndaj aferave të AKSHI-t.

Kryedemokrati shtoi se dokumenti i Parlamentit Europian ngre shqetësime edhe për mungesën e rolit të parlamentit në procesin e integrimit, situatën e mediave, trajtimin e minoriteteve dhe nivelin e lartë të varfërisë tek fëmijët shqiptarë.

Ai u ndal edhe tek kritikat e raportit ndaj nismës “Ballkani i Hapur”, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të minuar integrimin europian të vendit.

Gjithashtu, kryetari i PD akuzoi Ramën se shmangu çdo koment për raportin IBAR dhe diskutimet mes vendeve anëtare të BE-së, duke theksuar se prej muajsh ndaj Shqipërisë po shtohen kushte dhe kërkesa të reja në rrugën drejt integrimit.

Në fund, Berisha ironizoi deklaratat e Ramës për mediat dhe startup-et, duke e akuzuar se kontrollon shumicën e mediave në vend dhe përdor propagandën për të manipuluar opinionin publik.

Scroll to Top