Trump kritikon çmimet e larta të biletave për Botërorin 2026

Presidenti Trump kritikon çmimet e Botërorit: Edhe unë nuk do t’i paguaja ato bileta

Donald Trump ka shprehur dyshimin e tij lidhur me çmimet e larta të biletave për Kupën e Botës 2026, duke deklaruar për “New York Post” se, “për të qenë i sinqertë, as unë nuk do t’i paguaja”. Këto komente u bënë gjatë një interviste telefonike për gazetën amerikane, ku Trump shtoi se “nuk e njihte atë shifër” për ndeshjen hapëse të kombëtares amerikane kundër Paraguajit.

Në dhjetor, FIFA kishte vendosur një çmim bazë prej 1.120 dollarësh për biletat më të lira të kategorisë 3 për shumicën e tifozëve, pasi numri i biletave të kategorisë 4 ishte mjaft i kufizuar.

Komentet e Trump vijnë vetëm një ditë pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mbrojti politikën e çmimeve për Botërorin 2026. Për herë të parë në historinë e turneut, FIFA do të aplikojë sistemin e “çmimeve dinamike”, i cili mundëson rritjen ose uljen e çmimit të biletave në bazë të kërkesës.

“Duhet të shohim tregun. Ndodhemi në një vend ku industria e argëtimit është më e zhvilluara në botë, prandaj duhet të aplikojmë çmime tregu,” deklaroi Infantino. Ai shtoi se në SHBA lejohet edhe rishitja e biletave, duke argumentuar se nëse FIFA do t’i shiste ato me çmime shumë të ulëta, ato do të rishiteshin më pas dukshëm më shtrenjtë nga tregu sekondar.

Më vonë, Infantino pretendoi se “nuk mund të shohësh as një ndeshje universitare në SHBA për më pak se 300 dollarë”, një deklaratë që u kundërshtua shpejt nga disa media amerikane.

“Isha shumë i interesuar të isha aty, por sinqerisht as unë nuk do të paguaja atë shumë,” tha Trump për “New York Post”, kur u pyet për çmimet e biletave të Botërorit. Ai shtoi: “Nëse njerëzit nga Queens dhe Brooklyn, dhe të gjithë ata që e duan Donald Trump, nuk mund të vijnë në stadium, do të zhgënjehesha. Por, në të njëjtën kohë, është një sukses i jashtëzakonshëm.”

“Do të doja që njerëzit që votuan për mua të kishin mundësinë të ndiqnin ndeshjet nga afër,” përfundoi ai.

Scroll to Top