Berisha uron fitoren e Peter Magyar: Hungaria jep shembull zgjedhjesh të lira
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar Peter Magyar për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Hungari, duke e cilësuar procesin si një shembull të demokracisë.
Berisha vlerësoi qëndrimin e Viktor Orban për pranimin e humbjes pas 16 vitesh në pushtet dhe krahasoi zgjedhjet në Hungari me situatën në Shqipëri, duke akuzuar Edi Ramën për manipulim elektoral.
Ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me TISZA-n dhe falënderoi Fidesz për mbështetjen ndër vite ndaj Partisë Demokratike.
“Dje populli hungarez, në një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, votoi masivisht alternativën e paraqitur nga Peter Magyar, kryetar i partisë së qendrës së djathtë TISZA, anëtare e EPP-së. Me këtë rast, uroj zotin Magyar për fitoren elektorale dhe besimin e madh që mori nga qytetarët e vendit të tij. Shpreh gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike për një bashkëpunim të frytshëm me TISZA-n, si në rrafshin bilateral, ashtu edhe në atë të EPP-së, në interesin më të mirë të dy vendeve tona.
Dje, përmes votës së lirë, qytetarët hungarezë nxorën në opozitë kryeministrin Viktor Orban dhe partinë e tij Fidesz, pas 16 vitesh në pushtet. Kryeministri Viktor Orban, pasi pranoi publikisht dhe me dinjitet humbjen, uroi kundërshtarin e tij për fitoren dhe e vlerësoi ditën e djeshme si një festë të demokracisë, duke dëshmuar kështu respektin e tij të palëkundur ndaj votës së lirë të qytetarëve hungarezë dhe vlerave themelore të demokracisë e shtetit ligjor.
Për t’u theksuar është fakti se, në dallim të madh nga Edvin Kristaq Rama, kryeministri Viktor Orban nuk zhvilloi një farsë elektorale, por zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai nuk u fali zgjedhësve dy miliardë euro gjoba dhe kamata dy ditë para votimit për të blerë votat e tyre dhe për të tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve.
Partia Demokratike, që nga themelimi i saj, ka një bashkëpunim të pandërprerë 35-vjeçar me Viktor Orban dhe Fidesz-in, për të cilin u është atyre mirënjohës. Ne kemi gjetur te kjo parti një mik dhe aleat të çmuar që në fillesa, në përpjekjet tona për përmbysjen e diktaturës komuniste dhe më pas në vendosjen e një bashkëpunimi miqësor midis dy vendeve tona. Jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre të vyer në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE, si dhe për bashkëpunimin tonë për paqen e sigurinë në rajon e njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, vlerësojmë mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë PD-së gjatë këtyre viteve në opozitë, pranë organizatave partiake dhe institucioneve ndërkombëtare”, është shprehur Berisha.
