Sejko pret drejtuesin e ri të BERZH: Ekonomia do të vazhdojë të rritet me ritme solide
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka pritur sot në një takim zyrtar delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Hannes Takacs, Përfaqësuesi i ri Rezident i BERZH-it në Shqipëri.
Në fillim të takimit, Guvernatori Sejko i informoi përfaqësuesit e BERZH-it mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai u shpreh se, sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme solide edhe gjatë periudhës në vijim.
Guvernatori theksoi se politika monetare e kujdesshme dhe konsistente e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, duke krijuar kushte financiare të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
Lidhur me sektorin bankar, ai nënvizoi se sistemi mbetet i qëndrueshëm, me tregues të mirë kapitalizimi, likuiditeti dhe përfitueshmërie. Gjithashtu, raporti i kredive me probleme, në nivelin 3.7%, përfaqëson nivelin më të ulët historik që nga viti 2008. Sipas Guvernatorit, ky rezultat pasqyron efektet e reformave strukturore të ndërmarra gjatë dekadës së fundit, përmirësimin e disiplinës financiare të industrisë bankare, si dhe efektivitetin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Më tej, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të Shqipërisë me BERZH-in dhe falënderoi institucionin për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit. Ai veçoi:
- Bashkëpunimin për përgatitjen e infrastrukturës rregullative në fushën e administrimit të rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike.
- Asistencën teknike për zhvillimin e tregut të parasë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
- Mbështetjen e BERZH-it në procesin e vetëvlerësimit të kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në raport me standardet e Bashkimit Evropian.
- Bashkëpunimin për zbatimin e iniciativës WE Finance Code, e cila synon të përmirësojë aksesin në financim për gratë sipërmarrëse dhe të forcojë ekosistemin e financimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e BERZH-it shprehën vlerësimin për bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Shqipërisë dhe për rezultatet e arritura në kuadër të projekteve të përbashkëta. Ata riafirmuan gatishmërinë e BERZH-it për ta zgjeruar më tej këtë bashkëpunim në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Në përfundim të takimit, Hannes Takacs theksoi se BERZH-i do të vijojë të jetë një partner strategjik për Shqipërinë, duke mbështetur zhvillimin e sektorëve kyç të ekonomisë, me fokus në forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare, tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër, përshpejtimin e digjitalizimit dhe mbështetjen e sipërmarrjes, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
