Bie besimi në ekonomi në qershor, i ndikuar nga sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit
Në muajin qershor, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) shënoi një rënie të lehtë prej 0.6 pikë. Megjithatë, niveli aktual i TNE-së mbetet 6.6 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky dobësim i TNE-së u shkaktua kryesisht nga ulja e treguesit në sektorin e shërbimeve dhe, në një masë më të vogël, në atë të ndërtimit. Në të kundërt, treguesit e besimit në sektorin e tregtisë dhe industrisë, si dhe ai i besimit të konsumatorit, regjistruan rritje.
Rritet besimi në industri dhe tregti
Treguesi i Besimit në Industri (TBI) u rrit me 0.6 pikë përqindje në qershor. Kjo rritje u motivua nga vlerësime më optimiste si për ecurinë e porosive aktuale, ashtu edhe për pritjet lidhur me porositë nga eksportet. Aktualisht, niveli i TBI-së është rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike. Megjithatë, vlerësimet e bizneseve për prodhimin industrial janë më pak pozitive krahasuar me muajin e kaluar. Pritjet për punësimin në të ardhmen në këtë sektor janë rritur, ndërkohë që çmimet e produkteve të ardhshme pritet të bien.
Treguesi i Besimit në Tregti (TBT) shënoi një rritje prej 2.8 pikë përqindjeje në qershor. Niveli i TBT-së është rreth 13 pikë përqindje mbi mesataren historike. Vlerësimet në rritje për ecurinë aktuale të biznesit kanë ndikuar në rritjen e TBT-së. Pritjet për çmimet e ardhshme në këtë sektor regjistruan rënie.
Rënie besimi në ndërtim dhe shërbime
Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) u ul me 0.8 pikë përqindje në qershor, duke qëndruar 11 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Ky pakësim i TBN-së u shkaktua nga vlerësimet në rënie për kontratat porositëse, ndërkohë që aktiviteti aktual ndërtues mbeti në nivele të pandryshuara. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar me rënie.
Treguesi i Besimit në Shërbime (TBSH) ra me 3.8 pikë përqindje në qershor, por niveli i tij mbetet rreth 8 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rënia e TBSH-së u kushtëzua nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit dhe nivelin e kërkesës. Pritjet për çmimet në këtë sektor janë rishikuar në drejtim rënës, ndërkohë që pritjet për punësimin në të ardhmen janë rishikuar për lart.
Besimi i konsumatorit pak më lart mesatares
Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) regjistroi një rritje prej rreth 0.6 pikë përqindjeje, duke qëndruar rreth 1 pikë përqindje nën nivelin mesatar historik. Konsumatorët vlerësuan lehtësisht me rritje situatën e tyre financiare dhe mundësinë për blerje të mëdha. Vlerësimi i situatës ekonomike të vendit në të ardhmen rezultoi i njëjtë me muajin e kaluar. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.
Rritet shfrytëzimi i kapaciteteve, por gjendja financiare e bizneseve bie
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, Treguesi i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve tregoi një rritje në bazë të gjerë sektoriale krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Shfrytëzimi i kapaciteteve u përmirësua në industri (+1 pikë përqindje), ndërtim (+0.4 pikë përqindje), shërbime (+1.2 pikë përqindje) dhe tregti (+2 pikë përqindje).
Nga ana tjetër, gjendja financiare e bizneseve regjistroi rënie. Ky tregues ra lehtësisht në sektorin e industrisë (-0.3 pikë përqindje) dhe atë të ndërtimit (-0.2 pikë përqindje), dhe më ndjeshëm në sektorin e shërbimeve (-3.5 pikë përqindje).
