Përfaqësuesit e Bordit të Paqes të mbështetur nga Trump po përgatiten për vizitën e parë në Gaza.
Përfaqësues të Bordit Ndërkombëtar të Paqes, të themeluar si pjesë e një iniciative të mbështetur nga SHBA-të dhe drejtuar nga Presidenti Donald Trump, pritet të hyjnë në Rripin e Gazës në ditët në vijim. Kjo do të jetë vizita e tyre e parë që nga formimi i organit në fillim të këtij viti, raportoi të mërkurën transmetuesi publik izraelit KAN.
Sipas transmetuesit, përfaqësuesit e Nickolay Mladenov, i emëruar nga Trump si përfaqësuesi i lartë i bordit për Gazën, kanë paraqitur një kërkesë zyrtare ushtrisë izraelite për të hyrë në enklavën e sulmuar. Ky do të shënojë udhëtimin e parë të një delegacioni të Bordit të Paqes në Gaza që nga themelimi i këtij organi muaj më parë.
Një burim brenda bordit citohet të ketë thënë se grupi palestinez Hamas “nuk e ka kuptuar ende nevojën për çarmatosje”, duke shtuar se vrasja e udhëheqësve të krahut të armatosur të grupit, Brigadat Al-Qassam, është “pjesë e procesit të çarmatosjes së Hamasit”. Të martën në mbrëmje, sulme izraelite në qytetin perëndimor të Gazës rezultuan me vdekjen e Mohammed Awda-s, kreut të brigadave.
KAN shtoi se Mladenov ka paraqitur javën e kaluar një plan 15-pikësh për zbatimin e iniciativës së Trump në Gaza. Plani përfshin gjithashtu vendosjen e një force shumëkombëshe, të referuar si “Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit”. Pritet që përfaqësues të kësaj force shumëkombëshe gjithashtu të vizitojnë Gazën muajin e ardhshëm.
Angazhimi i Uashingtonit në çështjet e Gazës pritet të rritet pas zbutjes së tensioneve me Iranin, ndërsa vizita e planifikuar e përfaqësuesve të Bordit të Paqes shihet si një sinjal i hershëm i këtij angazhimi të shtuar.
Më 16 janar, Shtëpia e Bardhë njoftoi miratimin e strukturave të qeverisjes kalimtare për Gazën, duke përfshirë bordin, Këshillin Ekzekutiv të Gazës, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës dhe Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit. Takimi i parë i Bordit të Paqes për Gazën u mbajt më 19 shkurt në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara në Uashington, nën drejtimin e Trump.
Kjo iniciativë ishte pjesë e fazës së dytë të planit 20-pikësh të Trump, i cili synonte t’i jepte fund luftës në Gaza dhe mbështetej nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuar në nëntor të vitit të kaluar.
