Produktivitet i ulët, orë të gjata pune në Shqipëri

Produktivitet i ulët, por shqiptarët të tretët në Europë për orët e gjata të punës

Megjithëse në raportet ndërkombëtare Shqipëria renditet mes vendeve me produktivitetin më të ulët në Europë, sidomos për sipërmarrjet e mëdha, punonjësit shqiptarë punojnë shumë më gjatë se homologët e tyre në Bashkimin Europian, duke u renditur në nivele të ngjashme me Ballkanin dhe Turqinë.

Sipas të dhënave të INSTAT, deri në vitin 2024, një punonjës shqiptar mesatarisht punoi 41.3 orë në javë, duke shënuar një rënie të lehtë nga 41.6 orë në vitin paraardhës. Për punonjësit me pagë, orët totale të punës arrijnë në 43.6 në javë.

Të dhëna nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë se në Europë kryeson Turqia me 42.8 orë pune në javë. Mali i Zi renditet i dyti me 42.3 orë (të dhëna të vitit 2020), ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 40.9 orë dhe Serbia me 40.6 orë. Punonjësit e Maqedonisë së Veriut punojnë më pak në rajon, me 39.5 orë në javë. Nuk ka të dhëna të disponueshme për Kosovën.

Ndryshe nga rajoni, vendet e Bashkimit Europian kanë orë pune më të shkurtra. Sipas Eurostat, mesatarisht në vitin 2025, orët javore të punës për punonjësit me kohë të plotë dhe të pjesshme (mosha 20-64 vjeç) në BE ishin 35.9 orë. Orët mesatare ndryshojnë ndërmjet vendeve anëtare. Javët më të gjata mesatare të punës janë regjistruar në Greqi (39.6 orë), Poloni dhe Bullgari (38.7 orë secila), Lituani (38.4 orë) dhe Slloveni (38.3 orë). Në anën tjetër, javët më të shkurtra të punës janë në Holandë (31.9 orë), Gjermani dhe Danimarkë (33.9 orë secila) dhe Austri (34.0 orë).

Shqipëria ka produktivitet të ulët, sidomos për ndërmarrjet e mëdha

Një studim i OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) nxjerr në pah se produktiviteti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në Shqipëri arrin vetëm 29% të mesatares së BE-së, sipas të dhënave të vitit 2023. Një punonjës në një NVM shqiptare prodhon mesatarisht 14,924 euro në vit, ndërsa në ndërmarrjet e mëdha kjo shifër rritet në 19,645 euro. Krahasimisht, në BE, një punonjës në NVM kap vlerën e 52,000 eurove për person, dhe bizneset e mëdha shënojnë 87,000 euro për punonjës.

Si pasojë, produktiviteti i sipërmarrjeve të mëdha në Shqipëri është më i ulët se ai i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke arritur vetëm 22.6% të mesatares së ndërmarrjeve të mëdha në BE. Ndërmarrjet e mëdha në Shqipëri jo vetëm renditen sa një e pesta e mesatares së BE-së, por kanë gjithashtu produktivitetin më të ulët në rajon. Kryesimin në rajon e mban Serbia me 31.4 mijë euro për person, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 27 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut me 21.6 mijë euro.

Scroll to Top