Braçe: Hiqni taksën e qarkullimit nga karburantet

Braçe i bën thirrje qeverisë: Hiqni taksën e qarkullimit nga çmimi i hidrokarbureve

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i ka bërë thirrje qeverisë që të heqë taksën e qarkullimit nga çmimi i karburanteve. Ai argumenton se një masë e tillë do të ndikonte në uljen e çmimit të naftës dhe në frenimin e kostove për konsumatorët.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Braçe e ka cilësuar taksën si një barrë që duhet rishikuar, duke argumentuar se ajo u vendos në një periudhë kur ekonomia shqiptare nuk kishte të njëjtën qëndrueshmëri fiskale.

Sipas deputetit socialist, heqja e kësaj takse nga çmimi i karburanteve do të sillte ulje të kostos së naftës dhe do të kishte efekt edhe në çmimet e produkteve të tjera, për shkak të ndikimit që karburantet kanë në transport dhe në zinxhirin e furnizimit.

Braçe ka ngritur gjithashtu argumentin se një çmim më i ulët i karburanteve do të ndihmonte në luftën kundër kontrabandës, duke reduktuar edhe nxitjen për blerjen e karburantit në vendet fqinje ku çmimet mund të jenë më të favorshme.

Taksa e qarkullimit mbi karburantet është një komponent i çmimit të naftës. Sipas të dhënave të publikuara gjatë këtij viti, niveli i saj është 27 lekë për litër pa TVSH.

Kjo nuk është hera e parë që Braçe ngre shqetësime për çmimin e karburanteve. Në muajt e fundit ai ka kërkuar edhe masa për rritjen e transparencës në treg dhe ka kritikuar nivelin e çmimeve të naftës në Shqipëri.

Postimi i plotë:

TE HEQIM TAKSEN E QARKULLIMIT NGA PRODUKTET ENERGJITIKE-KARBURANTET! TE MOS LEJOJME QE INFLACIONI I HIDROKARBUREVE TE KTHEHET NE INFLACION STRUKTUROR!

Ministri i Financave dha sot shifra të rëndësishme të të ardhurave-hyrave publike. Ato dëshmojnë punën e bërë, formalizimin dhe mbledhjen më të mirë të detyrimeve fiskale ligjore. Por mbi të gjitha, dëshmojnë jo thjesht qëndrueshmëri të të ardhurave publike, por rritje të qëndrueshme të tyre!

Shumica e kësaj rritjeje në tre vitet e fundit nuk vjen nga çmimi i produkteve energjitike-naftë, benzinë, gaz, energji elektrike dhe ky është një avantazh. Kjo qëndrueshmëri fiskale na lejon të korrigjojmë instrumenta të mbledhjes së të ardhurave fiskale që kanë pasur ndikim mbi çmime që kanë qenë në rritje këtë vit apo në çdo krizë të viteve të fundit!

E kam fjalën për taksën e qarkullimit që ne e mbledhim për çdo litër karburant të paguar. Çmimi i rritur i karburanteve ka pasur ndikim të qartë dhe të qëndrueshëm në inflacionin e këtij viti.

NDIKUAR EDHE NGA QENDRUESHMERIA E RRITJES SE TE ARDHURAVE, TANI ESHTE KOHA QE KETE TAKSE TA HEQIM NGA CMIMI I KARBURANTEVE. Jo vetëm që do kishte ndikim në uljen e çmimit të tyre për konsumatorin, por do të kishte edhe dy efekte shtesë:

  • I pari, do ndikonte mbi kontrabandën e karburanteve, posaçërisht me Kosovën dhe brenda vendit.
  • I dyti, do eliminonte tregtinë abuzive kufitare për të gjithë ata që shkojnë në Malin e Zi, Kosovë e Maqedoni, për të blerë karburante.

DUHET BËRË TANI!

Scroll to Top