Bullgaria drejt zgjedhjeve të parakohshme për tetë herë në pesë vjet
Bullgaria do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 19 prill. Këtë e ka njoftuar Presidentja Iliana Yotova.
Sipas medias së huaj, Yotova i ka caktuar zëvendësguvernatorit të Bankës Kombëtare Bullgare, Andrei Gurov, detyrën e formimit të një qeverie teknike dhe përgatitjes për zgjedhjet e reja parlamentare. Këto do të jenë zgjedhjet e tetë të vendit në vetëm pesë vjet.
Qeveria e mëparshme dha dorëheqjen më 11 dhjetor, pas javësh protestash në rrugë, të cilat u shkaktuan nga politikat ekonomike dhe perceptimi për dështimin në luftën kundër korrupsionit.
Në një konferencë për shtyp të hënën, pas takimit me Gurov, i cili prezantoi anëtarët e qeverisë së tij të përkohshme, Yotova deklaroi se do të firmosë një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve më 19 prill.
Bullgaria, e cila iu bashkua Eurozonës më 1 janar, po përballet me paqëndrueshmëri të theksuar politike. Partitë politike nuk kanë arritur të formojnë një koalicion të qëndrueshëm qeverisës në një parlament të fragmentuar.
