## Çanta me 700 mijë euro del në breg të detit, pushuesit mbledhin paratë
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në plazhin Marina di Ragusa në Siçili, ku qindra mijëra euro të hedhura nga një skaf kanë përfunduar në det dhe më pas janë nxjerrë në breg nga dallgët.
Mediat italiane kanë publikuar një video ku shihen pako me kartëmonedha që notonin në ujë, duke habitur pushuesit.
Sipas autoriteteve italiane, ngjarja nisi kur një skaf i vogël mbeti pa karburant pranë portit. Në bord ndodheshin katër persona. Dy prej tyre zbritën për të siguruar karburant, ndërsa dy të tjerë mbetën në mjet, i cili u shty nga rrymat drejt bregut.
Pushuesit njoftuan menjëherë rojën bregdetare, duke menduar se skafi ishte në rrezik. Por sapo mjeti i rojës bregdetare iu afrua, dy personat që ndodheshin në skaf nisën të hidhnin në det dhjetëra pako me kartëmonedha.
Rrymat i sollën pakot në plazh, ku pushuesit nxituan t’i merrnin. Pak më vonë, në vendngjarje mbërritën policia, karabinierët dhe policia financiare. Ata rrethuan zonën, sekuestruan paratë dhe identifikuan persona që kishin marrë pjesë në mbledhjen e tyre.
Autoritetet njoftuan se kanë sekuestruar afro 700 mijë euro, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e shumës të mos jetë gjetur ende. Skafi u sekuestrua për ekzaminim, ndërsa tre persona u arrestuan.
Në bord ndodhej edhe një i mitur, i cili sipas të dhënave paraprake nuk kishte lidhje familjare me të arrestuarit. Hetuesit po verifikojnë nëse paratë lidhen me aktivitete të krimit të organizuar dhe pastrim parash.
