Charles III i heq titullin Princit Andrew, lidhja me Epstein

Lidhja me Epstein shkaktoi polemika, Mbreti Charles i heq titullin e princit vëllait

Monarku britanik, Charles III, ka nisur procesin zyrtar për t’i hequr titullin e princit vëllait të tij, Andrew. Ai gjithashtu do të largohet nga shtëpia e tij në Uindsor dhe do të zhvendoset në Sandringam.

Pallati Buckingham bëri të ditur se Andrew ka rënë dakord të largohet nga prona mbretërore, ndërsa lidhjet e tij me financierin Jeffrey Epstein, i cili u ekspozua si pedofil, vazhdojnë të shkaktojnë polemika. Andrew mohon akuzat, por Pallati mbretëror ka vlerësuar se ka pasur një “mungesë serioze të gjykimit”.

Përmes një njoftimi, Pallati tha se “princi Andrew nga tani do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor”.

“Kontrata e tij e qirasë në pronën mbretërore deri më tani i kishte ofruar atij mbrojtje ligjore për të jetuar aty. Tashmë është dorëzuar njoftimi zyrtar për ta dorëzuar pronën dhe ai do të zhvendoset në një pronë private. Këto masa vlerësohen të domosdoshme, pavarësisht faktit se ai vazhdon t’i mohojë akuzat ndaj tij”, thuhet në njoftim.

Në janar të vitit 2022, Andrew humbi titujt ushtarakë dhe patronazhet pasi dështoi ta bindte një gjykatës amerikan të hidhte poshtë një padi civile kundër tij, në të cilën akuzohej për abuzim seksual.

Virginia Giuffre e kishte paditur Andrew në vitin 2021, duke pretenduar se kur ajo ishte 17 vjeçe, kishte kryer marrëdhënie seksuale me të disa herë, me kërkesë të Ghislaine Maxwell, ish-partneres së Epstein, e cila ishte akuzuar për krime seksuale. Andrew ka mohuar vazhdimisht këtë akuzë dhe në vitin 2022 ai dhe Giuffre u morën vesh, pa u përballur me gjyq.

Megjithatë, lidhjet e tij me Epstein i kanë dëmtuar reputacionin publik dhe e kanë detyruar Andrew të tërhiqet nga disa prej detyrave të tij monarkike. / REL

Scroll to Top