Bordi i Transparencës përcakton çmimet e reja të karburanteve: Ja sa do të shitet nafta
Bordi i Transparencës ka njoftuar vendosjen e çmimeve të reja për shitjen e karburanteve. Sipas njoftimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin sipas standardit SSH EN 590 do të jetë 192 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 180 lekë për litër.
Për sa i përket benzinës sipas standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë 172 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 160 lekë për litër.
Këto çmime do të hyjnë në fuqi sot, datë 5, në orën 13:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e radhës të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e mundshme të çmimeve.
Në rast se konstatohen shkelje nga operatorët, do të merret masa e pezullimit të aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM:
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litër, apo për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktuale janë nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për këtë arsye, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim:
Për sa i përket çmimit të shitjes së gazoilit për peshkim, sipas Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare,” neni 9, pika 6, parashikohet përjashtimi nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për anijet e peshkimit. Gjithashtu, neni 10, pika 3, shkronja “d” e Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” përcakton përjashtimin nga akciza të karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM.
Referuar metodologjisë së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim rezulton të jetë 96 lekë.