“`html
Data Center Nënujor Shfrytëzon Energjinë e Erës dhe Ujin e Detit
Projekti Lin Gang në Shangai parashikon vendosjen e një “Data Center” nën ujë, brenda kapsulave të mbyllura hermetikisht. Serverat e instaluar do të ftohen nga uji i detit, duke ulur ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike. Energjia do të sigurohet nga burime eolike, duke kontribuar kështu në uljen e emetimeve të karbonit. Projekti synon rritjen e efikasitetit energjetik, kursimin e tokës urbane dhe zhvillimin e një infrastrukture të gjelbër. Edhe pse ideja nuk është krejt e re, ajo shënon një hap të avancuar drejt përdorimit real dhe komercial të “Data Center”-eve nënujorë.
Nga MSc Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë
Para së gjithash, është e nevojshme të jepet informacion rreth “Data Center”-eve, funksionit dhe rolit të tyre në sistemet e teknologjisë së informacionit. Një “Data Center” (qendër të dhënash) është një ambient i specializuar ku ruhen, përpunohen dhe menaxhohen të dhënat dixhitale dhe sistemet IT të një organizate, duke përfshirë serverat, routerat, pajisjet e ruajtjes dhe aplikacionet. Këto objekte janë të pajisura me burime të energjisë dhe sisteme të kondicionimit për të ruajtur temperaturën optimale për funksionimin normal të pajisjeve elektronike. Qëllimi kryesor i ndërtimit të një “Data Center” është krijimi i një mjedisi të sigurt, të qëndrueshëm dhe të kontrolluar për operimin e sistemeve IT kritike. Ato përdoren për të mbështetur, ruajtur dhe operuar shërbimet dixhitale të një kompanie, shërbime për klientë të jashtëm, ruajtje dhe përpunim intensiv të të dhënave, hostim të shërbimeve online, cloud computing, siguri dhe mbrojtje të sistemeve, si dhe vazhdimësi biznesi dhe rikuperim pas fatkeqësive (disaster recovery).
“Data Center”-et janë objekte që konsumojnë sasi të mëdha energjie, pasi sistemet operojnë pa ndërprerje, 24/7. Përveç furnizimit me energji të pajisjeve aktive, nevojitet edhe ventilimi dhe ftohja e ambienteve. Në këtë kontekst, ky projekt inovativ kërkon të shfrytëzojë energjinë e erës për furnizimin me energji elektrike dhe ujin e detit për të ulur temperaturën. Ky është një eksperiment efikasiteti energjetik që mund të ndryshojë mënyrën e ndërtimit të “Data Center”-eve në të ardhmen në mbarë botën.
Kina ka përfunduar fazën e konceptimit të asaj që e quan “Data Center”-in e parë nënujor në botë (Undersea “Data Center”). I vendosur në zonën Lin Gang të Shangait dhe me një vlerë totale prej rreth 195 milionë eurosh, projekti shënon një hap të rëndësishëm në kërkimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për të përmbushur kërkesën e madhe për energji të infrastrukturës dixhitale në rritje. Sipas komitetit të menaxhimit, realizimi i tij përfaqëson një hap vendimtar përpara në integrimin e burimeve të rinovueshme në proceset e ruajtjes, përpunimit dhe shpërndarjes së të dhënave.
I furnizuar tërësisht me energji eolike, projekti do të ketë një kapacitet total prej 24 megavatësh. Siç u përmend edhe më lart, “Data Center”-et tradicionalë gjenerojnë shumë nxehtësi dhe duhet të mbahen në temperatura të ulëta për të funksionuar në mënyrë efikase. Kompania projektuese e përballon problemin e mbinxehjes duke zhvendosur “Data Center” nën ujë, ku uji i detit do të shërbejë si një sistem ftohës natyror. Kjo zgjidhje redukton nevojën për energji që kërkohet për fohjen e sistemeve nëpërmjet kondicionimit.
Efikasiteti energjetik matet përmes treguesit PUE (Power Usage Effectiveness), i cili tregon raportin midis energjisë totale të konsumuar në “Data Center” dhe energjisë që përdoret realisht nga pajisjet IT të instaluara. Faza e parë e projektit synon të arrijë një vlerë jo më të lartë se 1.15, një rezultat i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh se përsosmëria teorike është 1.0.
Duke studiuar efikasitetin eolike si komponent të rëndësishëm të projektit, deti i Kinës Lindore ofron kushte ideale për turbina eolike që do të shfrytëzojnë energjinë e erës me më shumë se 3.000 orë prodhim në vit. Përveç kësaj, instalimi i turbinave në det ul përdorimin e tokës me mbi 90%, një avantazh i rëndësishëm në zonat me dendësi të lartë banimi siç është Shangai. Gjithashtu, eliminohet plotësisht përdorimi i ujit natyral për nevojat e sistemit.
Projekti nuk është një eksperiment i izoluar, por pjesë e një strategjie kombëtare më të gjerë, me të cilën Kina synon të bëhet një qendër botërore për inovacionin shkencor dhe teknologjik, duke e çuar industrinë e përdorimit të shërbimeve kompjuterike përmes internetit, përtej 28,2 miliardë dollarëve deri në vitin 2027. Nisma është pjesë e megaprojektit kombëtar “East Data, West Computing” të nisur në vitin 2022, me qëllim transferimin e një pjese të ngarkesës së madhe të përpunimit të të dhënave nga qytetet e mbipopulluara të bregdetit lindor drejt rajoneve perëndimore, ku energjia kushton më pak dhe hapësira e kërkuar është më e madhe.
Projekti ndjek gjithashtu një strategji inovative: në vend që t’i zhvendosë të dhënat larg nga vendi i origjinës, ai i përpunon ato drejtpërdrejt atje, duke shfrytëzuar hapësirat detare për të garantuar efikasitet energjetik dhe ndikim më të ulët mjedisor.
Kapaciteti prej 24 megavatësh përfaqëson vetëm pikën e nisjes. Gjatë prezantimit të projektit, kontraktorët kryesorë, përfshirë Shanghai Hicloud Technology, Shenergy Group, dega e China Telecom në Shangai dhe Inesa, nënshkruan një marrëveshje edhe për ndërtimin e një impianti të dytë nënujor të furnizuar me energji eolike, me një objektiv shumë më ambicioz: arritjen e 500 megavatëve.
Sfida e vërtetë do të jetë kalimi nga një projekt eksperimental në një sistem operativ në shkallë të gjerë. Presidenti i njërës prej kompanive të përfshira theksoi se ndërtimi i këtyre objekteve nënujorë është ende në fazat fillestare. Për të qenë ky model rezultativ dhe eficient, duhet t’i jepet zgjidhje edhe disa dilemave të tjera, siç janë: përmirësimi dhe shpejtimi i proceseve të mirëmbajtjes, rritja e besueshmërisë, sigurimi fizik dhe dixhital, kamerat e survejimit, mbrojtja nga aksidentet, dëmtimet e qëllimshme, si dhe emergjencat e ndryshme natyrore.
“`
