Debat i ashpër në KLP: Seanca për Prokurorin e Përgjithshëm anulohet

“Mos e lësho gojën ashtu”/ Plas debati në mbledhjen e KLP-së: Më vjen turp që jam ulur në këtë tavolinë

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) u kthye në një “arenë” debatesh dhe ironish mes anëtarëve. Një kërkesë e bërë nga kandidati për prokuror të përgjithshëm, Ylli Pjetërnika, për përjashtim të anëtarit të KLP-së, Vatë Staka, nga shqyrtimi i procedurës për zgjedhjen e kryeprokurorit, futi në sherr anëtarët, duke bërë që mbledhja të mbyllej pa vendim.

Brenda javës së parë të dhjetorit duhet të ketë një emër të ri për Prokurorin e Përgjithshëm, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk ka nisur asnjë procedurë për shqyrtimin e 5 kandidaturave. Për “karrigen” e Prokurorit të Përgjithshëm kandidojnë Adnan Xholi, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj.

PJESË NGA DEBATI:

Zeqir Hoda: Është njoftuar opinioni dhe media po e ndjek objektin e kësaj procedure. Në vijim të kësaj procedure u parashtrua një kërkesë tjetër, ndërkohë që objekti për të cilin ne jemi mbledhur ende nuk është bërë i ditur. Lexojeni kërkesën e z. Pjetërnikaj. Edhe po s’e bëtë ju do ta bëj unë sepse ju dhunshëm nuk më nxirrni dot nga kjo sallë, asnjëri prej jush nuk më nxjerr dot.

Mirela Bogdani: Çfarë duhet të bëj? Z. Pjetërnikaj ka bërë kërkesë për z. Staka, a duhet të jetë Staka? Duhet të jetë e qartë procedura.

Sokol Stojani: Kërkesa që bëhet nga një aplikant, si Ylli Pjetërnikaj, duhet të shqyrtohet nga Këshilli. Por e para duhet të shqyrtohet nëse duhet të jetë apo jo z. Hoda.

Mirela Bogdani: Po pse kërkesa e dytë duhet sqaruar e para?

Sokol Stojani: Atëherë, nëse nuk e kupton…

Mirela Bogdani: Jo, kam nevojë të ma sqarosh se nuk e kuptova.

Sokol Stojani: Më thjesht se kaq nuk di. (Debat pa mikrofon)

Sokol Stojani: O zonja Riza, hiq dorë nga ky shumësi. Mos e lësho gojën ashtu. Leje shumësin.

Zeqir Hoda: Tani i bie që unë të kërkoj përjashtimin e z. Stojani për mënyrën se si arsyeton kërkesën e z. Staka.

Sokol Stojani: Po kërkoje…

Zeqir Hoda: Unë dyshoj nga objektiviteti i z. Stojani dhe kërkoj përjashtimin e tij nga shqyrtimi i kërkesës së z. Staka për përjashtimin tim.

Sokol Stojani: Unë po them se edhe qeshja e zonjës kryetare ishin muhabete kot.

Zeqir Hoda: Kërkoj zbardhjen e procesverbalit dhe pastaj të shqyrtohet kërkesa ime për përjashtimin e z. Stojani.

Sokol Stojani: Qeshjet dhe nënqeshjet e zonjës kryetare, ndaj unë kërkoj përjashtimin e saj sepse tregon një qëndrim. Tani kjo po banalizohet. Nga pyetja juaj zonja kryetare që të kërkosh se si duhet mbajtur rendi…

Zeqir Hoda: Për mua qëndrimi që mbajti z. Stojani është arsye që të përjashtohet. Sapo e shprehur qëndrimin.

Sokol Stojani: Ti ke probleme me formimin.

Zeqir Hoda: Kjo është arsye tjetër që unë kërkoj përjashtim, paragjykimi që z. Stojani bën për formimin tim.

Sokol Stojani: Çdo kërkesë duhet të ketë arsyetim logjik. Se mund të ketë edhe arsyetime si ai i z. Hoda që “jam djalë i zgjuar se e kam shtëpinë afër bibliotekës”.

Mirela Bogdani: T’i lemë këto komente, të qëndrojmë tek procedura…

Sokol Stojani: Duket që z. Hoda është i stresuar.

Zeqir Hoda: Shiko anën tënde emocionale.

Sokol Stojani: Po bëhemi qesharakë… ai ka bërë shkollën natën.

Zeqir Hoda: Nuk presionohem nga adresime të tilla, aq më tepër nga ky personi që i adreson. Do përgjigjet. Z. Stojani duhet të përjashtohet… i dituri me 4 klasë shkollë.

Sokol Stojani: E ka humbur z. Hoda…. znj. Kryetare ju qeshët në mënyrë ironike teksa unë jepja opinionin tim…

Mirela Bogdani: Nuk besoj të kem qeshur.

Sokol Stojani: Nëse do biem në këtë lloj banaliteti të vazhdojmë. Unë do të kërkoj përjashtimin tuaj.

Ledina Riza: Më vjen zor që jam në këtë tavolinë… të arrijë niveli i diskutimeve në të tilla banalitete nuk i takon kësaj tavoline. Kërkohet përjashtim jo pse qeshe e pse jo. Të respektojmë kandidatët që kanë aplikuar dhe publikun. Nuk e di nëse mund të qëndrojë në këtë tavolinë.

Sokol Stojani: Ky këshill nuk është më në terezi, ta marrin vesh të gjithë…

Zeqir Hoda: Kjo që po bën z. Stojani tani është presion mbi këshillin. Ky është presion…

Scroll to Top