**Burri dënohet me vdekje për vrasjen e katër fëmijëve në një qendër kujdesi ditore në Ugandë**
Një gjykatë në Kampala ka dënuar me vdekje një burrë ugandano-amerikan për goditjen me thikë dhe vrasjen e tre djemve dhe një vajze në një qendër kujdesi ditore, një ngjarje që tronditi Ugandën.
Vendimi u prit me duartrokitje nga publiku, duke përfshirë edhe prindërit e viktimave, të cilët ishin të moshës nga 15 muaj deri në dy vjeç e gjysmë. Christopher Okello Onyum u arrestua më 2 prill ndërsa përpiqej të arratisej.
Gjyqtarja Alice Komuhangi Kauka hodhi poshtë pretendimin e të pandehurit për pafajësi për shkak të çmendurisë. Onyum nuk u përgjigj kur u pyet pse nuk duhet të dënohej me vdekje.
I akuzuari “e planifikoi aktin e tij në detaje… ai sulmoi fëmijë të pambrojtur dhe të pafajshëm” dhe “i masakroi si kafshë… pa frikë apo turp, pa menduar për vlerën e jetës njerëzore. Nëse nuk do të ishte arrestuar, kush mund të thotë se nuk do të kishte vrarë më shumë se katër?”, tha gjyqtarja.
Kauka u shpreh se ishte e bindur se vrasjet ishin një “sakrificë rituale” dhe se Onyum besonte se ato do ta ndihmonin të pasurohej, siç kishte pohuar menjëherë pas arrestimit, megjithëse e tërhoqi këtë motiv në gjykatë.
“Gjithashtu mora parasysh që i akuzuari nuk tregoi pendim, sepse prisja që ai të paktën t’u kërkonte falje familjeve të foshnjave që masakroi sikur të ishin pula ose dhi,” shtoi ajo.
Onyum ka 14 ditë kohë për të apeluar vendimin.
