“`html
Ngecin depozitat në nëntor, rriten lehtë në lekë, bien në valutë
Muaji nëntor ka sjellë një ngadalësim të kursimeve në banka, kryesisht për shkak të ecurisë më të dobët të depozitave në valutë. Megjithatë, edhe depozitat në lekë kanë shënuar një rritje më të ulët krahasuar me muajt e mëparshëm.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit nëntor arriti në 690 miliardë lekë. Kjo përfaqëson një rritje prej 0.4%, ose rreth 2.8 miliardë lekë më shumë se muaji i kaluar. Si krahasim, një muaj më parë kursimet u shtuan me 6.6 miliardë lekë.
Rritja e depozitave në lekë gjatë nëntorit ka ardhur pothuajse tërësisht nga individët, të cilët kanë shtuar depozitimet e tyre, si ato pa afat, ashtu edhe ato me afat. Kjo ka ndodhur pavarësisht uljes së normave të interesit, si pasojë e lehtësimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në 2.5%, nga 3.25% që ishte deri në maj 2024. Megjithatë, ngadalësimi i ritmit të rritjes mund të jetë një sinjal që ulja e normave të interesit po fillon të ndikojë në preferencat e depozituesve.
Krahasuar me një vit më parë (nëntor 2025/nëntor 2024), depozitat në monedhën vendase janë rritur me 14%, ose gati 85 miliardë lekë më shumë.
Ndryshe nga ato në lekë, kursimet në valutë kanë shënuar një rënie të lehtë gjatë nëntorit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në euro në fund të muajit nëntor ishte 8.62 miliardë euro, duke shënuar një rënie prej 44 milionë euro, ose 0.5% më pak krahasuar me muajin e mëparshëm. Një muaj më parë, depozitat në euro ishin rritur me 36 milionë euro.
Kjo rënie është ndikuar më shumë nga korporatat private dhe publike, por edhe individët kanë shënuar një tkurrje të depozitimeve në valutë. Megjithatë, në bazë vjetore (nëntor 2025/nëntor 2024), depozitat në monedhën e përbashkët janë rritur me 7.8%, ose 615 milionë euro më shumë.
Banka e Shqipërisë raporton totalin e kursimeve (lekë plus valutë) të konvertuara në lekë. Në fund të nëntorit, stoku total i depozitave ishte 1.45 trilionë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 116 miliardë lekësh, ose 8.7% më shumë.
Stabilizimi i euros ka ulur ndikimin që rënia e saj pati në tkurrjen e kursimeve në valutë në momentin që ato raportohen në euro. Të matura sipas monedhave përkatëse, gjatë një viti, depozitat në lekë janë rritur me 85 miliardë lekë (rreth 850 milionë euro) dhe ato në euro me 615 milionë euro, duke shtuar një total prej gati 1.47 miliardë euro në sistem për një vit./Monitor
“`
