Lindja e Mesme po bashkohet: Trump përshëndet marrëveshjen e mbrojtjes mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë rajonale, marrëveshjen e re të mbrojtjes mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit.
Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social, Trump u shpreh se ishte “shumë i lumtur” që tre vendet kishin nënshkruar më në fund Marrëveshjen e Përbashkët të Mbrojtjes së Mekës. Ai e cilësoi marrëveshjen si një “hap të madh, të guximshëm dhe të rëndësishëm” për rajonin.
Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani nënshkruan marrëveshjen më 7 gusht në Mekë. Pakti synon të forcojë bashkëpunimin ushtarak dhe koordinimin strategjik mes tre vendeve, duke përfshirë mekanizma të përbashkët mbrojtjeje dhe stërvitje ushtarake në fusha të ndryshme.
Marrëveshja vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas sulmeve të ndodhura në Arabinë Saudite. Riadi po synon të forcojë kapacitetet e veta të sigurisë përmes aleancave rajonale, duke kërkuar të ulë ekspozimin ndaj kërcënimeve në rritje.
Trump theksoi se marrëveshja tregon se “Lindja e Mesme po bashkohet” dhe se vendet e rajonit do të jenë në gjendje të mbrohen “në një mënyrë më substanciale”. Ai gjithashtu përgëzoi udhëheqësit e Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit për nënshkrimin e këtij pakti.
Ky pakt konsiderohet një zhvillim me rëndësi strategjike për ekuilibrat e sigurisë në rajon. Ndërkohë, Irani ka deklaruar se nuk sheh arsye për t’u shqetësuar nga marrëveshja, duke e interpretuar atë si një përpjekje për rritjen e vetëbesimit të vendeve të rajonit në çështjet e sigurisë.
