Reshje rekord dhe rrëshqitje dheu në Korenë e Jugut: një viktimë

Reshje rekord shiu në Korenë e Jugut/ Rrëshqitjet e dheut vrasin një person

Reshjet e rrëmbyeshme kanë goditur provincën Gyeongsang të Koresë së Jugut, duke shkaktuar rrëshqitje dheu që vrau një person dhe plagosi dy të tjerë. Një rrëshqitje masive dheuje ka shkatërruar katin e parë të një pallati në qytetin juglindor të Geoje të hënën në mëngjes.

Mediat lokale raportojnë se ekipet e shpëtimit nxorën tre persona nga rrënojet, njëri prej të cilëve më vonë u shpall i vdekur. Kjo ngjarje vjen në një kohë kur reshjet rekord të shiut, të shkaktuara nga stuhitë e njëpasnjëshme, kanë shkaktuar përmbytje të gjera dhe rrëshqitje toke edhe në pjesë të Kinës, Japonisë dhe Filipineve.

Qyteti Geoje regjistroi 124.5 mm shi në harkun kohor të një ore, sasia më e lartë e regjistruar që kur agjencia meteorologjike e Koresë së Jugut filloi të mbante të dhëna për këtë qytet në vitin 1972.

Pamjet video të shpërndara në mediat sociale tregojnë makina të zhytura në ujëra në Geoje, ndërsa rryma të forta përfshijnë rrugët. Autoritetet e qytetit njoftuan se disa atraksione turistike do të mbyllen të hënën për shkak të shiut të rrëmbyeshëm.

Operacionet e transportit me autobus dhe mbledhja e mbeturinave shtëpiake janë pezulluar gjithashtu për shkak të rrugëve të përmbytura ose të dëmtuara, sipas deklaratave të autoriteteve.

Të dielën, autoritetet u bënë thirrje banorëve të shmangin drejtimin e automjeteve, të qëndrojnë larg zonave të rrezikuara si brigjet e lumenjve dhe të evakuohen në zona të sigurta nëse situata e kërkon.

Scroll to Top