Depozitat në Lekë bien, ndikimi kryesor nga korporatat

Depozitat në lekë shënojnë rënie për të dytin muaj radhazi në mars, ndikimi kryesor nga korporatat

Ndryshe nga muaji janar, ku u shënua një rritje rekord e kursimeve në monedhën vendase, të nxitura nga bizneset private dhe institucionet publike, muajt shkurt dhe mars kanë regjistruar një ulje të tyre. Kjo tendencë përkon edhe me një performancë jo fort të mirë të monedhës kombëtare.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit mars, totali i depozitave në lekë të individëve, bizneseve dhe institucioneve të tjera në banka ka arritur në 727 miliardë lekë. Ky shifër paraqet një ulje prej 6 miliardë lekësh (-0.8%) krahasuar me muajin paraprak.

Për të kujtuar, në janar kursimet në banka kishin regjistruar një rritje mujore rekord prej 26 miliardë lekësh, ndërsa në shkurt ato ranë me 4.3 miliardë lekë.

Megjithatë, në një perspektivë vjetore (mars 2026 kundrejt mars 2025), kursimet në monedhën vendase janë rritur ndjeshëm, me 81.4 miliardë lekë, ose 12.6%.

Rënia e depozitave në lekë gjatë muajit mars, ashtu si edhe ajo e muajit shkurt, është kryesisht e ndikuar nga tkurrja e kursimeve të bizneseve. Ky sektor shënoi një ulje prej 6.8 miliardë lekësh, pas një rritjeje të fortë në janar, e cila u nxit nga pagesat e fundvitit nga buxheti i shtetit drejt kompanive që operojnë në fushën e punëve publike.

Nga ana tjetër, depozitat në lekë të individëve kanë shënuar një rritje të lehtë gjatë muajit mars.

Në kontrast me trendin e rënies së depozitave në lekë, ato të denominuara në valutë të huaj kanë shënuar një rritje të lehtë. Këto të fundit kanë arritur në 8.76 miliardë euro, duke shënuar një zgjerim prej 35 milionë euro.

Në bazë vjetore, kursimet në monedhën e përbashkët europiane janë rritur me 758 milionë euro, ose 9.5%.

Banka e Shqipërisë raporton se stoku total i kursimeve, të konvertuara në lekë, në fund të shkurtit ra në 1.49 trilionë lekë. Ky nivel është më i ulët se rreth 1.5 trilionë lekë (mbi 15 miliardë euro) që ishte në fund të janarit, duke u ndikuar si nga rënia e kursimeve në lekë, ashtu edhe nga efekti i kursit të këmbimit për depozitat në euro.

Brenda një periudhe njëvjeçare, nga marsi 2025 deri në mars 2026, depozitat në sistemin bankar (të konvertuara në euro) janë rritur me rreth 1.6 miliardë euro. Monedha vendase ka dhënë kontributin më të madh në këtë rritje, duke zënë rreth 52% të saj.

Scroll to Top