Presidenti Lee Jae-myung i ofron dialog Koresë së Veriut: Është koha të ndërtojmë një regjim paqeje!
Presidenti Lee Jae-myung ka bërë thirrje për rifillimin e dialogut me Korenë e Veriut, duke propozuar hapa konkretë drejt bashkëjetesës paqësore dhe zëvendësimit të armëpushimit të Luftës Koreane me një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Gjatë një fjalimi të mbajtur me rastin e përvjetorit të çlirimit të Koresë nga sundimi japonez, Lee theksoi nevojën që të dy Koretë të rikthehen në tryezën e negociatave. Ai shtoi se Seuli do të kërkojë garanci të reja për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe për të ulur rrezikun e një konflikti të armatosur.
Presidenti koreano-jugor kërkoi gjithashtu bisedime me Phenianin dhe palët e tjera të interesuara për t’i dhënë fund zyrtarisht Luftës Koreane të viteve 1950-1953, e cila u ndal me armëpushim, por jo me një traktat paqeje.
Një pikë thelbësore e propozimit të Lee është edhe kufizimi i aftësive bërthamore të Koresë së Veriut. Ai deklaroi se Seuli do të ndërmarrë masa të vazhdueshme për uljen e tensioneve dhe krijimin e mekanizmave të sigurisë për të parandaluar përshkallëzimin.
Megjithatë, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara. Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka hequr dorë nga politika e ribashkimit, duke e cilësuar Korenë e Jugut si shtetin më armiqësor dhe duke urdhëruar forcimin e mbrojtjes përgjatë kufirit. Pheniani ka shprehur më parë kundërshti ndaj nismave të Lee-së, duke kritikuar planet e Seulit për nëndetëse me energji bërthamore dhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
Në fjalimin e tij, presidenti Lee foli gjithashtu për marrëdhëniet me Japoninë, duke kërkuar që e kaluara të trajtohet me kujdes dhe duke shprehur shpresën për një periudhë të re bashkëpunimi dhe prosperiteti mes dy vendeve.
