Djali i Princeshës Norvegjeze lirohet nga burgu, arrest shtëpie

Djali i princeshës së kurorës së Norvegjisë, i akuzuar për dy raste përdhunimi, lirohet nga burgu dhe do të qëndrojë në arrest shtëpie pranë nënës së tij të sëmurë.

Marius Borg Høiby, djali i princeshës Mette-Marit të Norvegjisë, do të mund të kthehet në shtëpi nën masën e arrestit shtëpiak, për t’i qëndruar pranë nënës së tij gjatë fazës së rikuperimit pas një transplanti mushkësh.

Høiby, 29 vjeç, ishte mbajtur në burg pas një vendimi të shkallës së parë, ku u shpall fajtor për dy raste përdhunimi dhe për dhunë në familje ndaj një ish-partnereje. Ai ka apeluar vendimin dhe çështja do të shqyrtohet sërish në një proces të ri gjyqësor.

Pas rreth një muaji në paraburgim, autoritetet norvegjeze kanë miratuar një masë alternative sigurie, duke i lejuar atij të largohet nga burgu dhe të qëndrojë në arrest shtëpiak. Si pjesë e kushteve të vendosura, Høiby do të monitorohet me anë të një byzylyku elektronik.

Një nga argumentet kryesore për ndryshimin e masës së sigurisë lidhet me gjendjen e rënduar shëndetësore të princeshës Mette-Marit, e cila ndodhet në fazën e rikuperimit pas transplantit të mushkërive.

“Familja ime ka kaluar një periudhë shumë të vështirë. E gjithë familja është pranë nënës sime”, deklaroi Høiby për transmetuesin publik norvegjez NRK. Ai shtoi se pamundësia për të qenë pranë dhe për të ndihmuar nënën e tij në këtë periudhë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë.

Marius Borg Høiby është djali i madh i princeshës Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme, para martesës së saj me princin e kurorës Haakon të Norvegjisë. Ai nuk ka status zyrtar si pjesëtar i familjes mbretërore norvegjeze.

Scroll to Top