LDK-ja shpall aleancën me Vjosa Osmanin dhe kandidaturën e saj për presidente
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish-presidenten Vjosa Osmani. Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se partia ka mbështetur propozimin që Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidate për presidente. Vetë Abdixhiku do të kandidojë për kryeministër.
Abdixhiku theksoi se vendimi është marrë unanimisht nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Ai shtoi se lista zgjedhore e partisë do të përfshijë edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani.
Ndër personat e përmendur që do të jenë pjesë e rrugëtimit politik të Osmanit janë:
- Fahrie Hoti, aktiviste e njohur, kryesisht për përfaqësimin e grave të Krushës së Madhe pas luftës së Kosovës.
- Jeta Statovci, ish-deputete e Guxo-s dhe ndër më të votuarat në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit.
- Albena Reshitaj, ish-ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ish-deputete e AAK-së.
Vjosa Osmani, para largimit nga LDK-ja, ishte një nga figurat më të votuara të partisë dhe ka mbajtur funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidente dhe deputete. Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të qeverisë Kurti I. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke formuar më pas subjektin e saj politik, Lista Guxo. Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës, por mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre.
Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e ka cilësuar afrimin Osmani-LDK si “risinë kryesore” të këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se efekti elektoral i saj mund ta forcojë dukshëm listën e LDK-së.
Zhvillime të tjera politike
Tre ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë, partitë politike në Kosovë kanë intensifikuar negociatat. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti u zyrtarizua sërish unanimisht si kandidat për kryeministër. Ai synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në zgjedhjet e vitit 2025. Kurti ka shprehur synimin për të fituar 60% të votave në zgjedhjet e 7 qershorit. LVV-ja ka konfirmuar vazhdimin e koalicionit me Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.
Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Limaj i ka dërguar një letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke shprehur gatishmërinë për “bashkëpunim dhe bashkim politik” për krijimin e një alternative të përbashkët opozitare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tri koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese. Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare në Kosovë brenda 18 muajve.
