Gjermania në alarm: Një tjetër dron me eksploziv u zbulua pranë aeroportit Leipzig-Halle
Një tjetër dron dhe një sasi eksplozivi me fuqi ushtarake janë gjetur pranë aeroportit Leipzig-Halle në Gjermani. Ky zbulim vjen pak ditë pas një incidenti të dyshuar me dronë që preku një avion mallrash të kompanisë DHL.
Sipas informacioneve nga mediat gjermane si NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung, droni i tretë është gjetur më 14 gusht në Kampelsketal, në një zonë fushore pranë pjesës perëndimore të aeroportit. Dyshohet se ky pajisje ishte planifikuar për të sulmuar avionë mallrash ukrainas, por nuk ka funksionuar siç ishte parashikuar.
Në vendin e ngjarjes u gjetën gjithashtu rreth 50 gramë eksploziv Hexogen, i njohur gjithashtu si T4. Ky është një material shumë shpërthyes, kryesisht i përdorur në sektorin ushtarak.
Një dron i parë, i pajisur me eksploziv, ishte zbuluar më 4 gusht mes avionëve ukrainas të mallrave në aeroport. Detonatori i këtij droni rezultoi i dëmtuar, duke penguar shpërthimin.
Të njëjtën mbrëmje, një avion mallrash i DHL pati një përplasje me një objekt të dyshimtë në ajër, duke fluturuar me shpejtësi prej disa qindra kilometrash në orë. Avioni pësoi dëme të kufizuara, por gjatë hetimeve nuk u gjetën mbetje të një droni. Për këtë arsye, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse objekti ishte vërtet një dron.
Pranë pistës, në fshatin e braktisur Kursdorf, policia zbuloi gjithashtu një pajisje teknike që mund të jetë përdorur për kontrollin e dronëve.
Prokuroria Federale gjermane e ka cilësuar këtë ngjarje si një “sulm serioz ndaj infrastrukturës së transportit dhe logjistikës së Gjermanisë”.
Ministri i Brendshëm Federal, Alexander Dobrindt, foli për një të ashtuquajtur “skenar sulmi hibrid”, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së aktorëve të huaj. Burime të sigurisë dyshojnë për përfshirje të mundshme të shërbimeve ruse të inteligjencës, ndërsa Moska ka mohuar akuzat.
