EMRAT: Ministri Lamallari paralajmëroi, zbulohen dy personat me shtetësi të Maqedonisë së Veriut shpallur ‘non grata’
TIRANË – Një ditë pasi Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi shpalljen ‘non grata’ të personave të tjerë, të cilët ishin përfshirë edhe në protestën e ‘Flamingo’ në Shqipëri, janë bërë të ditur emrat e tyre.
Sipas raportimit të gazetare Anila Hoxha, vendimi është marrë pas propozimit të njësisë antiterror pranë Policisë së Shtetit, dhe është konfirmuar nga Ministria e Brendshme. Kjo e fundit ka shpallur ‘non grata’ Valon Beljan, i njohur edhe si Valjon Belaj, dhe Bekir Halimin, të dy shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Mediat mësojnë se Belaj është gazetar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Halimi është imam, i përfshirë edhe në protestat pro-palestineze në të dy vendet.
Çfarë deklaroi dje Ministri Lamallari:
“Fakt është dhe kjo është e dëshmuar, një rast që përmendët më herët, ku unë, në zbatim të ligjit që më jep të drejtën të shpall një person të padëshiruar në vendin tonë për 15 vite, ishte dhe rasti i zonjës Ikballe Huduti. Sipas informacioneve të administruara nga agjencitë e shërbimit informativ dhe të zbatimit të ligjit, provohej se ajo kishte lidhje dhe veprimtari që përbëjnë shqetësim dhe kërcënim për Shqipërinë. Nuk është vetëm ky rast; edhe pse nuk është bërë publike, edhe më pas në javët vijuese ka pasur raste të tjera, të cilët i kam shpallur persona të padëshiruar, në zbatim të atributeve që më jep ligji.”
I pyetur nëse këta persona janë figura publike, ministri Lamallari nuk dha detaje:
“Jo domosdoshmërisht, por persona, që sigurisht me shfaqje dhe tendenca shqetësuese ekstremiste, të cilët në tërësinë e tyre, pavarësisht rrymave të ndryshme, mbështetjes, financimit dhe propagandimit, vlerësohen nga agjencitë e Shqipërisë se përbëjnë kërcënim real për vendin dhe qytetarët shqiptarë. Rrjedhimisht, jam i detyruar të ndërmarr një vendimmarrje të tillë,” tha ai.
