Zjarri në Uashington: Arrestim, 60,000 evakuohen, dëme masive

Zjarri katastrofik në Uashington: Arrestohet 37-vjeçar i dyshuar për zjarrvënie, mbi 60 mijë persona evakuohen

Një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka shkaktuar me qëllim një nga zjarret më shkatërruese që ka goditur qytetin Spokane, në shtetin e Uashingtonit. Mbi 60 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Tre vatra të mëdha zjarri – Old Trails, Fairview dhe Autumn Lane – kanë shpërthyer që nga fundjava pranë qytetit të dytë më të madh të Uashingtonit, ndërsa ekipet e zjarrfikësve vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve.

Autoritetet kanë arrestuar Aaron Farinacci, 37 vjeç, i dyshuar për zjarrin në zonën Old Trails. Sipas sherifit të Qarkut Spokane, ai është parë duke u gjunjëzuar pranë barit në zonën ku nisi zjarri dhe më pas iu janë gjetur shkrepëse dhe një çakmak. Farinacci akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme të shkallës së parë dhe mbahet në paraburgim me një garanci prej 1 milion dollarësh.

Sherifi John Nowels bëri të ditur se i dyshuari kishte edhe një dënim të mëparshëm për vrasje të paqëllimshme.

Dëmet nga zjarret janë të mëdha. Më shumë se 700 ndërtesa janë shkatërruar, ndërsa rreth 400 të tjera ende nuk janë inspektuar. Mijëra hektarë tokë janë përfshirë nga flakët.

Guvernatori i Uashingtonit, Bob Ferguson, e përshkroi situatën si një “makth”, duke e cilësuar atë si “ndoshta katastrofën më të keqe natyrore në historinë e Spokane”. Kryebashkiakja e qytetit, Lisa Brown, paralajmëroi se ekziston ende rreziku për humbje jetësh dhe se është shumë herët për të përcaktuar se kur banorët do të mund të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Deri tani nuk janë raportuar viktima apo persona të plagosur, por autoritetet po përpiqen të kontaktojnë 14 persona me të cilët kanë humbur komunikimin. Ata dyshohet se mund të jenë evakuuar, por mund të kenë mbetur pa sinjal telefoni ose me bateri të shkarkuara.

Pamjet nga zona tregojnë shtëpi dhe biznese të përfshira nga flakët, ndërsa helikopterët janë angazhuar në operacionet e shuarjes së zjarreve.

Në të gjithë shtetin e Uashingtonit janë aktivë gjithsej 16 zjarre, ndërsa më shumë se 900 zjarrfikës janë angazhuar në luftën kundër flakëve. Autoritetet presin edhe përforcime nga shtete të tjera.

Guvernatori Ferguson ka vendosur ndalim për të gjitha zjarret në ambiente të hapura në të gjithë shtetin, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe erërat e forta mund të përkeqësojnë situatën gjatë ditëve në vijim.

Ekspertët e klimës theksojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po rrisin mundësinë e kushteve të thata dhe të nxehta që favorizojnë përhapjen e zjarreve masive.

Scroll to Top