Titulli: Eksportet në rritje në qershor, por sektori kryesor, tekstile dhe këpucë, vijon rënien
Pas një ngadalësimi në maj, ku u rritën me vetëm 2.8%, eksportet kanë përshpejtuar ritmet në qershor, duke u zgjeruar me 13.6%, sipas të dhënave të INSTAT. Megjithatë, grupi më i madh në vend, që zë 26.3% të totalit të shitjeve jashtë vendit dhe është një nga punëdhënësit kryesorë të industrisë, ai i tekstileve dhe këpucëve, ka vijuar me tendencën tkurrëse.
Ndryshe nga sektori i tekstileve dhe këpucëve, grupet e tjera kryesore si materialet e ndërtimit, makineritë dhe pajisjet, si dhe mineralet, lëndët djegëse e energjia elektrike, shënuan rritje dyshifrore. Produktet ushqimore gjithashtu patën një zgjerim pozitiv.
Në qershor 2026, eksportet e mallrave arritën vlerën 35.4 miliardë lekë, duke u rritur me 13.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8.3% krahasuar me maj 2026. Sipas INSTAT, në rritjen e përgjithshme të eksporteve kanë kontribuar pozitivisht grupet:
- “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5.7 pikë përqindje.
- “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3.6 pikë përqindje.
- “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3.3 pikë përqindje.
Ndërkohë, grupet që kanë ndikuar negativisht janë:
- “Tekstile dhe këpucë” me -1.1 pikë përqindje.
- “Prodhime druri dhe letre” dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0.2 pikë përqindje, etj.
Për gjashtë mujorin, tendenca e përgjithshme e eksporteve vijoi të ishte pozitive. Sipas INSTAT, për periudhën janar-qershor 2026, eksportet ishin 193 miliardë lekë, me një rritje 6.1% me bazë vjetore (nga 4.5% që ishte zgjerimi për 5 mujorin). Edhe për këtë gjashtë mujor, ndikimin kryesor pozitiv e dhanë mineralet, lëndët djegëse, energjia, materialet e ndërtimit dhe makineritë e pjesët e këmbimit, ndërsa efekti më negativ ishte nga tekstilet dhe këpucët.
Fasoni, i vetmi me rënie të fortë
Eksportet nga industria e veshjeve dhe këpucëve kanë shënuar muaj radhazi me rënie. Në qershor, rënia ishte 3.8%, gjithsesi e ngadalësuar në raport me majin, kur eksportet e tekstileve dhe këpucëve u tkurrën me 14.2%. Për gjithë 6 mujorin, eksportet ishin 51 miliardë lekë, me një tkurrje prej 6.7% (-3.7 miliardë lekë), duke qenë i vetmi grup i madh me tendencë negative.
Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e euros, e cila zbriti në nivelin më të ulët historik sërish në qershor, duke iu afruar 94 lekëve. Të tjera arsye përfshijnë vështirësimet në importin e lëndëve të para dhe kostot e shtuara për shkak të luftës, si dhe rënien e kërkesës nga Europa. Kjo situatë po detyron shumë kompani të mbyllen dhe disa marka të kërkojnë kushte ekonomike më favorizuese në vende si Tunizia, Maroku, Uzbekistani dhe Egjipti.
Rritet energjia dhe lëndët djegëse
Ndryshe nga fasoni, eksportet e lëndëve djegëse kanë përfituar nga situata. Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” ka eksportuar 7.5 miliardë lekë në qershor 2026, me një rritje të fortë prej 31% me bazë vjetore, falë çmimeve të favorshme në bursë. Për 6 mujorin, ky grup ka eksportuar 42.6 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 22%. Ky është grupi i dytë më i madh në vend, duke zënë 22% të totalit.
Ushqime, pije e duhan me rritje
“Ushqime, pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit dhe një nga dy sektorët që shënoi rritje në 2025, u përmirësua në qershor, duke rritur eksportet me 8.5%. Për gjashtë mujorin, grupi u zgjerua me 3.3%. Ky grup ka kaluar në vendin e tretë për nga madhësia, duke zënë 16% të totalit.
Materiale ndërtimi e metale me rritje
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” e mbyllën vitin 2025 me një rënie prej 25.4%. Megjithatë, në periudhën mars-qershor, grupi u kthye në rritje, duke u zgjeruar me 29% në qershor. Për gjashtë mujorin, eksportet u rritën me 15%.
Industria mbështetëse automotive, me ecurinë më pozitive
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” është grupi me ecurinë më pozitive në gjashtë muajt e parë të vitit. Për periudhën janar-qershor shitjet e tij arritën në 22.8 miliardë lekë, me një rritje prej gati 15%. Vetëm në qershor, shitjet e këtij sektori jashtë vendit u rritën me 30.1%. Ky grup, ku peshën kryesore e mban industria automotive, është rimëkëmbur që në fund të vitit të kaluar, ndërsa porositë pritet të jenë në rritje edhe për vitin në vazhdim, duke marrë parasysh edhe vendimin e KE për format hibride të automjeteve.
Presionet kryesore që industria e vendosur në Shqipëri po kalon lidhen me fuqinë punëtore, zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros pasi kontratat e tyre janë disavjeçare dhe rritja e papritur e pagës minimale në 50 mijë lekë.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në qershor 2026, vendet me të cilat Shqipëria pati rritjen më të madhe të eksporteve, krahasuar me qershorin 2025, janë Italia (7.6%) dhe Kosova (38.5%). Ndërsa vendet me rënien më të madhe të eksporteve janë Gjermania (12.8%) dhe Maqedonia e Veriut (13.0%).
Në qershor 2026, vendet me të cilat Shqipëria pati rritjen më të madhe të importeve, krahasuar me qershorin 2025, janë Italia (24.9%) dhe Kina (11.5%). Ndërsa vendet me rënien më të madhe të importeve janë Turqia (6.7%) dhe Spanja (19.7%).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58.4% të tregtisë së përgjithshme. Në qershor 2026, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 69.9% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53.6% të importeve gjithsej.
Rritet deficiti tregtar
Në qershor 2026, eksportet e mallrave arritën vlerën 35.4 miliardë lekë, duke u rritur me 13.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8.3% krahasuar me maj 2026. Importet e mallrave arritën vlerën 83.5 miliardë lekë, duke u rritur me 9.1% krahasuar me një vit më parë dhe me 3.2% krahasuar me maj 2026.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 48.0 miliardë lekë, duke u rritur me 6.1% krahasuar me një vit më parë dhe duke u ulur me 0.4% krahasuar me maj 2026.
