“`html
Shqipëria në mesin e vendeve me përqindjen më të ulët të grave gjyqtare në Europë
Edhe pse gratë përbëjnë shumicën e gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, pesha e tyre në sistemin gjyqësor është ndër më të ulëtat në kontinent dhe më e pakta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, gratë zënë 55% të gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, ndërsa burrat 45%. Me këtë shifër, Shqipëria renditet pranë fundit të klasifikimit europian, duke lënë pas vetëm disa vende si Polonia, Gjermania, Turqia, Lihtenshtajni, Irlanda dhe Islanda.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria shënon përqindjen më të ulët të grave gjyqtare. Për krahasim, në Serbi gratë përbëjnë 73% të gjyqtarëve profesionistë, në Bosnjë dhe Hercegovinë 64.8%, në Malin e Zi 63.8% dhe në Maqedoninë e Veriut 61.4%. Diferenca me Serbinë, e cila kryeson rajonin, arrin në 18 pikë përqindje.
Gjithashtu, Shqipëria mbetet pas vendeve fqinje anëtare të Bashkimit Europian, si Greqia (75.5% gra gjyqtare) dhe Kroacia (72.3% gra gjyqtare). Të dhënat sugjerojnë se, pavarësisht se gratë janë shumicë në gjyqësorin shqiptar, ndarja gjinore është më e ekuilibruar krahasuar me shumicën e vendeve të rajonit dhe Europës, ku profesioni i gjyqtarit dominohet më dukshëm nga gratë.
Gratë në shumicë në pothuajse të gjithë Europën
Sipas Eurostat, përqindja më e lartë e grave gjyqtare u regjistrua në Slloveni (81.4%). Pas saj vijnë Letonia (79.7%), Greqia (75.5%), Luksemburgu (73.6%), Serbia (73%) dhe Kroacia (72.3%). Në Francë, gratë përbëjnë 70% të gjyqtarëve, ndërsa në Estoni dhe Hungari përkatësisht 68.7% dhe 68.6%. Nivele mbi 65% u shënuan edhe në Lituani, Portugali, Finlandë dhe Rumani.
Në anën tjetër të spektrit, gratë janë pakicë në Islandë (43.1%), Irlandë (43.6%), Lihtenshtajn (45%) dhe Turqi (49.6%). Gjermania ka një ndarje pothuajse të barabartë, me gratë që përbëjnë 50.7% të gjyqtarëve profesionistë.
Eurostat thekson se Irlanda është i vetmi vend i Bashkimit Europian ku burrat përbëjnë shumicën e gjyqtarëve. Në Slloveni, Letoni dhe Greqi, përkundrazi, gratë përbëjnë mbi tre të katërtat ose afër këtij niveli të totalit.
BE-ja me më pak gjyqtarë se një dekadë më parë
Në vitin 2024, Bashkimi Europian kishte mesatarisht 15.7 gjyqtarë profesionistë për çdo 100 mijë banorë, një rënie nga 17.7 në vitin 2014. Raporti më i lartë u regjistrua në Kroaci (43.3 gjyqtarë për 100 mijë banorë), e ndjekur nga Sllovenia (40.2), Luksemburgu (36), Bullgaria (35.4) dhe Rumania (35.3). Në fund të renditjes, Irlanda kishte vetëm 3.6 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Austria 4.3, Spanja 6.2, Çekia 6.7 dhe Italia 7.9.
Përkufizimi i Eurostat përfshin gjyqtarët profesionistë me kohë të plotë dhe të pjesshme, të cilët kanë autoritet për të shqyrtuar çështje civile, penale dhe të tjera, duke përfshirë edhe gjykatat e apelit. Nuk përfshihen gjyqtarët joprofesionistë dhe anëtarët laikë të trupave gjyqësore.
“`
