Euro bie në nivelin më të ulët ndaj lekut; shkaqet

Euro arrin nivelin më të ulët historik ndaj lekut, me rënie prej 34% që nga viti 2011

Monedha e përbashkët europiane ka shënuar një rënie të re në tregun valutor vendas, duke u këmbyer për herë të parë në histori me 93.07 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Ky nivel përfaqëson pikën më të ulët që nga momenti kur euro filloi të qarkullojë si monedhë fizike.

Që prej fillimit të vitit, kursi i euros ndaj lekut ka rënë me 3.8%. Krahasuar me kulmin historik të shënuar në shkurt 2011, kur një euro arrinte vlerën e 140.4 lekëve, sot ajo këmbehet për 47.5 lekë më pak, duke regjistruar një ulje prej 34%.

Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se tregu ndodhet nën ndikimin e prurjeve të mëdha valutore të sezonit turistik, i cili në këtë periudhë të vitit arrin kulmin e tij. Megjithatë, kjo rënie sezonale e kursit të euros vijon një tendencë më të gjatë rënëse, që ka nisur që në muajt e parë të vitit, një fenomen i rrallë.

Statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të vitit, deficiti i llogarisë korrente është ulur në 228 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, investimet e huaja direkte kanë arritur një vlerë rekord prej 404 milionë eurosh për këtë periudhë, me një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Përtej shifrave zyrtare, në publik ekziston perceptimi se kursi valutor ndikohet ndjeshëm edhe nga prurjet e ligjshme dhe të paligjshme, si ato që burojnë nga aktivitete informale apo veprimtari kriminale. Disa raste të raportuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmojnë investimin e sasive të mëdha të kapitalit të përfituar nga aktivitete të jashtëligjshme në blerjen dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme.

Rënia e euros, e cila ka filluar që nga viti 2016 dhe vazhdon deri në vitin 2024, mund të shpjegohet më shumë me flukse informale, të lidhura me rritjen e sektorit të ndërtimeve, sesa me përmirësimin e deficitit të llogarisë korrente, i cili në fakt është përkeqësuar. Pas vitit 2024, në rënien e euros kanë kontribuar edhe prurjet turistike, me hyrjen e mbi 12 milionë shtetasve të huaj në vit.

Nga ana tjetër, forcimi i mëtejshëm i lekut besohet se mbështetet edhe nga politika fiskale e qeverisë shqiptare, e cila ka synuar suficite të mëdha fiskale gjatë pjesës më të madhe të vitit, duke ulur kështu ofertën e monedhës vendase në treg. Për gjashtëmujorin e vitit 2026, suficiti buxhetor ka arritur një vlerë rekord prej 52.8 miliardë lekësh, duke u rritur me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Banka e Shqipërisë ndërhyn vazhdimisht në tregun valutor duke blerë valutë të huaj. Megjithatë, këto ndërhyrje kanë arritur vetëm të kontrollojnë pjesërisht rënien e euros, pa mundur ta frenojnë plotësisht atë. Burime nga tregu raportojnë se Banka Qendrore ka kryer dy blerje eurosh gjatë kësaj jave. Nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro. Vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, blerjet e saj kanë arritur vlerën e 140 milionë eurove, një rekord për këtë periudhë të vitit.

Scroll to Top