Fëmija refuzoi të vendoste rripin e sigurimit, anulohet fluturimi me 100 pasagjerë në bord
Një fluturim i Porter Airlines në Kanada u anullua pasi një fëmijë i vogël refuzoi të ulej në vendin e tij dhe të vendoste rripin e sigurimit, duke detyruar dhjetëra pasagjerë të kalonin natën në aeroport.
Avioni ishte nisur nga terminali i Aeroportit Ndërkombëtar Victoria, në British Columbia, dhe po drejtohej drejt pistës për fluturimin drejt Torontos, kur situata u përshkallëzua.
Sipas kompanisë ajrore, prindi dhe anëtarët e ekuipazhit tentuan disa herë ta bindnin fëmijën të qëndronte në sedilje me rripin e sigurimit, por pa sukses. Për arsye sigurie, avioni u kthye në portë.
Prindi dhe fëmija zbritën së bashku me bagazhet, ndërsa më pas u detyruan të zbrisnin edhe të gjithë pasagjerët e tjerë. Fluturimi nuk mundi të nisej më, pasi duhej të riplanifikohej plani i fluturimit dhe të përfundoheshin procedurat përkatëse.
Për shkak të vonesës, avioni humbi edhe orarin e mbylljes së pistës në orën 12:30 të mëngjesit, duke bërë që pasagjerët të kalonin natën në British Columbia.
Porter Airlines kërkoi falje për situatën dhe njoftoi se pasagjerët do të rirezervoheshin për ditën e ardhshme. Nuk është bërë e ditur mosha e fëmijës, ndërsa avioni kishte 132 vende.
Pasagjerët e pranishëm në fluturim shprehën zhgënjim të madh dhe kritikuan kompaninë për mungesën e informacionit pas anulimit. Një pasagjere tha për CBC se fëmija nuk dukej se po sillej keq, por ishte i frikësuar dhe “vazhdonte të fshihej nën sediljen e tij”. Sipas saj, sa herë që përpiqeshin ta vendosnin në sedilje dhe t’i lidhnin rripin, ai arratisej përsëri.
Disa pasagjerë u detyruan të kërkonin hotele në minutën e fundit pranë aeroportit dhe tani kërkojnë që kompania ajrore t’i kompensojë për shpenzimet e shkaktuara nga anulimi.
