Nga Antverpi në Marsejë dhe nga Spanja në Angli! Evropa, “parajsa” për baronët e drogës. Bandat po kthejnë Belgjikën në portë të trafikut të kanabisit
Organizatat kriminale të drogës po zgjerojnë gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre në Evropë, duke ushtruar presion mbi institucionet, duke kërcënuar zyrtarë publikë dhe duke rritur nivelin e dhunës në disa vende të kontinentit.
Një nga rastet më të fundit është regjistruar në Francë, ku kryebashkiaku i qytetit Alès, Christophe Rivenq, u largua me urgjencë nga banesa e tij dhe u vendos nën mbrojtjen e policisë. Vendimi u mor pasi autoritetet morën informacione për një sulm të mundshëm ndaj tij nga Mafia DZ, një nga rrjetet më të fuqishme të drogës në vend. Ministri i Brendshëm francez Laurent Nuñez deklaroi se mbrojtja e kryebashkiakut u vendos pas informacioneve të sigurisë që tregonin se rreziku ndaj tij ishte i afërt. Rivenq kishte marrë më parë kërcënime, duke përfshirë gjetjen e plumbave 9 mm në kutinë postare dhe mesazhe kërcënuese në muret e banesës së tij. Kryebashkiaku 60-vjeçar deklaroi: “Veprimet që po ndërmarrim kundër trafikimit të drogës po japin rezultate. Nuk do të frikësohem”.
Mafia DZ, me origjinë nga Marseja, është shndërruar nga një bandë lokale në një nga kërcënimet më të mëdha kriminale në Francë, falë kontrollit mbi tregun e drogës. Edhe influencuesja franceze Carla Moreau, 29 vjeçe, është përballur me kërcënime nga ky botë kriminale. Ajo mori një mesazh kërcënues me vdekje në banesën e saj në Marsejë, pasi makina e saj u dogj gjatë natës. Prokuroria ka nisur hetimet për një rast të dyshuar zhvatjeje.
Tregu i drogës në Francë është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas Observatorit Francez për Drogën dhe Varësinë, vlera e këtij tregu është rritur nga rreth 2.3 miliardë euro në vitin 2010, në 6.8 miliardë euro në vitin 2023. Ish-ministri francez i Drejtësisë Gérald Darmanin e ka cilësuar trafikun e drogës si një “kancer” për shoqërinë franceze, duke paralajmëruar se droga ka depërtuar tashmë edhe në qytetet më të vogla të vendit.
Ndërkohë, në Belgjikë po rriten shqetësimet se vendi po shndërrohet në një nga qendrat kryesore të trafikut të kanabisit në Evropë. Porti i Antverpit është kthyer në një pikë strategjike për rrjetet kriminale, përmes të cilit kalojnë ngarkesa të mëdha droge që më pas shpërndahen në vende të tjera evropiane. Sipas hetimeve të publikuara nga mediat ndërkombëtare, kanabisi i prodhuar ligjërisht në Kanada po përfundon në duart e kontrabandistëve dhe po futet në Evropë përmes Belgjikës.
Në vitin 2025, autoritetet belge sekuestruan rreth 32 ton kanabis në portin e Antverpit, një rritje prej rreth 500 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 janë sekuestruar 10.8 ton të tjera. Autoritetet dyshojnë se pas një pjese të këtyre operacioneve qëndrojnë rrjete kriminale ndërkombëtare, ndërsa hetimet kanë zbuluar raste të korrupsionit brenda strukturave portuale. Punonjës të korruptuar dyshohet se janë paguar me dhjetëra mijëra euro për të ndihmuar në shmangien e kontrolleve doganore.
Përveç kanabisit, porti i Antverpit është gjithashtu një pikë hyrëse për kokainën nga Amerika Latine. Përplasjet mes bandave rivale kanë sjellë një valë dhune, me kërcënime ndaj zyrtarëve, sulme me armë dhe tentativa për të penguar hetimet. Gjykatës dhe prokurorë belgë kanë paralajmëruar se grupet kriminale po krijojnë një “forcë paralele” që sfidon jo vetëm policinë, por edhe sistemin e drejtësisë. Disa punonjës publikë janë vendosur nën mbrojtje pasi kanë marrë kërcënime dhe janë përballur me tentativa ryshfeti.
Dhuna e lidhur me trafikun e drogës ka prekur rëndë Belgjikën dhe vendet përreth. Në Antwerp, një vajzë 11-vjeçare humbi jetën pasi u përfshi në një shkëmbim zjarri mes bandave rivale të drogës. Në Holandë, autoritetet zbuluan gjithashtu ambiente të përdorura nga trafikantët për torturimin e rivalëve.
Ndërkohë, në jug të Evropës, Spanja është kthyer në një nga portat kryesore të kokainës në kontinent. Pozicioni gjeografik i saj dhe lidhjet me Amerikën Latine e kanë bërë një pikë të rëndësishme për trafikantët ndërkombëtarë. Autoritetet spanjolle kanë zbuluar tunele të sofistikuara të përdorura për transportin e kanabisit nga Maroku, ndërsa operacionet kundër trafikut të drogës kanë çuar në sekuestrime rekord.
Sipas ekspertëve të sigurisë, zgjerimi i rrjeteve kriminale të drogës përbën një nga sfidat më të mëdha për Evropën, pasi organizatat mafioze po kalojnë nga trafiku tradicional drejt ndikimit mbi ekonominë, institucionet dhe jetën publike.
