Falja me kusht e detyrimeve doganore: Afati për periudhën 2015-2019 shtyhet deri në 31 dhjetor 2026
Administrata Doganore ka kujtuar tatimpaguesit se afati për faljen me kusht të detyrimeve doganore, në rastin kur paguhet 75% e detyrimit, është deri më 31 dhjetor 2026.
Sipas njoftimit të Administratës Doganore, subjektet që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Ligjin e Faljes, kanë ende mundësi të përfitojnë nga shuarja me kusht e detyrimeve doganore deri në datën e theksuar.
Për detyrimet e periudhës 2015–2019, pagesa e 75% të detyrimit kryesor brenda afatit të caktuar sjell shuarjen e 25% të detyrimit të mbetur, si dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.
Administrata Doganore inkurajon tatimpaguesit të mos e lënë për në fund të vitit dhe të drejtohen sa më parë pranë degës doganore përkatëse për të verifikuar përfitimin nga kjo falje dhe për të vijuar me procedurat e nevojshme.
Ligji i faljes parashikon jo vetëm fshirjen e plotë të detyrimeve të papaguara mbi 10 vite, por edhe fshirjen e detyrimeve më të reja, me kushtin që të paguhet një pjesë e detyrimit.
Për detyrimet që i përkasin periudhës nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme me kushtin e pagesës së 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, ndërkohë që pjesa tjetër fshihet.
Aktualisht, për fshirjen me kusht po zbatohet faza e dytë, si për detyrimet doganore, ashtu edhe për ato tatimore. Nëse do të paguhet 75% e detyrimit deri më 31 dhjetor 2026, duke kryer këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dyja rastet e përmendura, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
Ligji i faljes përfshin gjithashtu faljen e gjobave për borxhet nga periudha 2020–2024, me kushtin që të paguhet detyrimi kryesor. Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principalja deri më 31 dhjetor 2026.
Situata aktuale e borxhit doganor:
- Detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2024 në Dogana llogariten në vlerën e 48,5 miliardë lekëve, ose rreth 500 milionë euro, të pashlyera nga 4,684 debitorë.
- Principalja zë 27% të borxhit, me vlerë 13,1 miliardë lekë.
- Pjesa më e madhe e tyre përbëhet nga gjobat me vlerë 26,5 miliardë lekë (55% të totalit) dhe kamatëvonesat me vlerë 8,9 miliardë lekë (18% të totalit).
- Sipas vjetërsisë, detyrimet doganore të papaguara mbi 10 vjet janë në shumën 25,7 miliardë lekë, nga 5 deri në 10 vjet në shumën 18,2 miliardë lekë, dhe nga 1 deri në 5 vjet në shumën 4,5 miliardë lekë.
