Tatimet: 20 mijë subjekte përfituan nga falja me kusht, 60 milionë euro detyrime të papaguara të shuar
Administrata Tatimore ka njoftuar përfundimin e fazës së parë të zbatimit të ligjit për faljen me kusht të detyrimeve tatimore të papaguara. Sipas njoftimit, mbi 22 mijë tatimpagues të tjerë kanë përfituar nga ky proces, duke rezultuar në fshirjen ose shuarjen e 60 milionë euro detyrimeve. Aktualisht, procesi i fshirjes automatike vijon në fazën e dytë, e cila synon tatimpaguesit që do të përfitojnë falje deri në 25% të detyrimeve për periudhën 2015-2019, me kusht që pagesat e mbetura të kryhen brenda dhjetorit 2026.
Bazuar në udhëzimin nr. 11, datë 14.05.2026, për zbatimin e ligjit nr. 86/2025, Administrata Tatimore informon se brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit, do të hartohet lista e plotë e subjekteve që përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, si dhe e atyre që nuk përfitojnë. Vetëm tatimpaguesit që nuk përfitojnë nga fshirja ose shuarja e detyrimeve tatimore të papaguara do të njoftohen elektronikisht nëpërmjet sistemit “e-Filing”. Pas finalizimit të listave, Administrata Tatimore do të procedojë me kompensimin automatik të tepricës kreditore të TVSH-së ose të tatimeve të tjera me detyrimet tatimore të subjekteve.
Kategoritë e detyrimeve që përfitojnë nga fshirja/shuarja:
- Detyrimet tatimore deri më 31 dhjetor 2014: Fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, duke përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, që i përkasin periudhave tatimore deri në 31.12.2014. Megjithatë, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, detyrimi principal nuk falet.
- Detyrimet tatimore për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019:
- Shuhet 50% e detyrimit principal nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026.
- Shuhet 25% e detyrimit principal nëse 75% e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.
Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
- Detyrimet tatimore për periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024: Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat me kusht që tatimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100% e principalit) nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026.
Përfitime të tjera të parashikuara nga ligji (Ligji nr. 86/2025):
- Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31.12.2024, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
- Fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave për periudhat deri në 31.12.2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30.06.2026.
- Fshihen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31.12.2024.
- Fshihen gjobat dhe interesat e krijuara nga ndryshimet e listëpagesave si pasojë e akteve ligjore/nënligjore me efekt prapaveprues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
- Fshihen gjobat administrative për periudhat deri më 31.12.2024.
Subjektet që nuk përfitojnë:
Subjektet nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve nëse:
- Janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore.
- Janë në proces gjyqësor ose hetimi për vepra penale tatimore dhe/ose doganore gjatë periudhës së zbatimit të ligjit.
- Kanë vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore apo Doganore për detyrimet objekt përfitimi.
Tatimpaguesit që janë në proces ankimi administrativ ose gjyqësor mund të përfitojnë nga dispozitat e ligjit vetëm nëse heqin dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë, ankimit ose rekursit, sipas përcaktimeve ligjore. Paraqitja e aktit nga ana e subjektit do të kryhet me kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, duke filluar nga data 10.06.2026 dhe para kryerjes së pagesës së detyrimit principal, por jo më vonë se data 30.11.2026.
Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të kryejnë pagesat sipas afateve të publikuara, me qëllim përfitimin nga lehtësitë e parashikuara në ligj.
