Fatura e Energjisë: Detaje për Burimet dhe Energjinë e Gjelbër

Fatura e qershorit do të ofrojë informacion të detajuar për klientët rreth burimeve të energjisë dhe pjesës së garantuar si “e gjelbër”.

Furnizuesit e energjisë elektrike, sipas një rregulloreje të re të miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të informojnë klientët për burimet nga të cilat vjen energjia e konsumuar. Ky informacion do të jepet çdo vit, brenda faturës së muajit qershor ose si një dokument shoqërues.

Raporti do të përfshijë:

  • Burimet e energjisë.
  • Konsumin e klientit.
  • Periudhën e furnizimit.
  • Pikën e matjes.

Rregullorja parashikon që informacioni t’i dorëzohet klientit “si pjesë përbërëse e faturës së energjisë elektrike, ose së bashku me të, për faturën e muajit qershor të vitit pasardhës”. Të dhënat do të paraqiten edhe në formë grafike ose diagrami, për të mundësuar klientin të kuptojë strukturën e energjisë së furnizuar.

Rregullorja përcakton dy lloje ofertash:

  • Furnizim pa strukturë të garantuar.
  • Furnizim me strukturë të garantuar.

Në rastin e dytë, furnizuesi angazhohet të sigurojë një pjesë të caktuar të energjisë nga burime të rinovueshme. Dokumenti e përkufizon këtë si një ofertë që garanton “një pjesë të caktuar ose pjesë, të të gjitha ose individuale, të burimeve të rinovueshme të energjisë”. Pjesa e deklaruar si energji e rinovueshme duhet të mbështetet me garanci origjine.

Furnizuesit do të duhet gjithashtu të publikojnë “strukturën e energjisë elektrike të mbuluar nga garancitë e origjinës të anuluara”. Garancitë anulohen pasi përdoren për të provuar origjinën e energjisë së furnizuar një klienti.

Përllogaritja nuk do të bazohet vetëm te prodhimi vendas. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të marrë parasysh “prodhimin vendas, konsumin, importet dhe eksportet fizike të energjisë elektrike, sipas burimeve të energjisë”.

Rregullorja përcakton gjithashtu termin “konsum i pagjurmueshëm” për pjesën e energjisë për të cilën nuk janë përdorur garanci origjine ose instrumente të tjera të njohura për gjurmimin e burimit. Për këtë energji, ERE do të llogarisë dhe publikojë përzierjen e mbetur.

Operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes duhet t’ia dorëzojnë të dhënat ERE-s deri më 1 mars. ERE duhet të miratojë dhe publikojë raportin vjetor deri më 20 qershor. Varianti përfundimtar i publikuar nga ERE do të jetë “i detyrueshëm për t’u përdorur nga të gjithë furnizuesit”. Furnizuesit do ta përdorin këtë informacion për raportet që u dërgohen klientëve me faturën e muajit qershor.

Scroll to Top