Federata e Volejbollit sqaron çështjen e volejbollistes Nayara

Volejbollistja e Dinamos, reagon Federata e Volejbollit: Nuk kërkuam test fizik gjinie! Pasi t’i sjellë këto analiza do…

Federata Shqiptare e Volejbollit ka reaguar zyrtarisht për herë të parë, duke dhënë një intervistë ekskluzive për gazetaren Trevisa Tufa në rubrikën Sport News në “News 24”, lidhur me pezullimin e volejbollistes braziliane Nayara Ferreira. Ky pezullim erdhi pas dyshimeve të disa klubeve se ajo mund të shkelte rregullat e barazisë së garës sportive.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Volejbollit, Ervis Dosti, ka sqaruar detaje rreth nisjes së çështjes, analizave të kërkuara nga volejbollistja dhe mundësisë së saj për të luajtur në vijim.

Trevisa Tufa: “Për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, ka shpërthyer një çështje mjaft sensitive. Një volejbolliste e klubit të Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, pasi dyshohet për gjininë e saj. Sot në Sport News, kam të ftuar palën tjetër, atë të Federatës së Volejbollit Shqiptar, për të marrë një version tjetër. Kam të ftuar Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Volejbollit, z.Ervis Dosti. Z.Dosti, përshëndetje.”

Ervis Dosti: “Faleminderit edhe ju që po na jepni mundësinë që edhe ne të shprehim qëndrimin tonë mbi këtë çështje.”

Trevisa Tufa: “Z.Dosti, dua të ndalemi fillimisht si është fillimi i kësaj historie, pse vendosët të pezulloni volejbollisten Ferreira? Si ka qenë fillimi i gjithë kësaj zanafille, le të themi, që ka ardhur deri në ditën e sotme?”

Ervis Dosti: “Siç e cekët edhe ju, kemi të bëjmë me një çështje shumë sensitive dhe të ndjeshme, jo vetëm për ambientin tonë sportiv por edhe më gjerë. E gjithë kjo situatë ka nisur në fillim të muajit të kaluar, ku kemi pasur dy indicie, dy shkresa zyrtare nga dy klube dhe shoqata, të cilat marrin pjesë në kampionatin kombëtar shqiptar të volejbollit, liga femra. Ato kanë shfaqur pretendimet dhe arsyetimet e tyre se kemi të bëjmë me një sportiste e cila nuk është e përshtatshme për të luajtur në këtë kategori dhe në këtë disiplinë. Dua që ta theksoj që në fillim, se nuk kemi të bëjmë me një pezullim të sportistes për shkak të dyshimeve për përshtatshmëri gjenetike. Pra, e gjithë kjo është më tepër një ‘fluskë sapuni’ e ngritur jashtë kontekstit sportiv.”

Trevisa Tufa: “Ju e përmendët pak më parë që ka pasur edhe indicie nga klubet që kanë sjellë shkresa në Federatën tuaj, por dyshime mund të ketë çdokush për çdokënd. Është normale të kryhet një test gjinie vetëm në bazë të një dyshimi nga një person apo qoftë një klub?”

Ervis Dosti: “Përcaktimi i testit gjinor në vetvete është një term i referuar nga mjekësia përkatëse, ku në vetvete ka të bëjë me dy komponentë: përcaktimin e ekzistencës ose jo të kromozonit Ypsilon, bazuar në testin SR Ypsilon, por mbi të gjitha ka të bëjë me komponentin e dytë, që është ekzistenca ose jo e nivelit të lartë të testosteronit te femrat, në rastin konkret. Që në krye të herës, bordi drejtues i Federatës ka krijuar një grup pune, të përbërë nga një autoritet dhe përfaqësues i Federatës Shqiptare të Volejbollit, një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Sportit, një mjek, dhe mbi të gjitha, për të qenë sa më të hapur dhe transparent, edhe mjeku i klubit të sportistes në fjalë. Ajo që vlen për t’u theksuar është që grupi i punës ka pasur për qëllim vetëm shoqërimin e sportistes në fjalë, apo edhe shoqërimin nga përfaqësues të klubit, në një institucion spitalor, mbi të gjitha të njohur nga mjekësia sportive. Në asnjë moment Federata Shqiptare e Volejbollit nuk ka krijuar një lloj hamendësimi për të vënë në dyshim vërtetësinë e sportistes në fjalë. Ne gjithmonë i referohemi dokumentacionit zyrtar që vajza ka në dosjen e saj dhe në pasaportën e saj, siç është gjinia femërore.”

Trevisa Tufa: “Ndërkohë ka një zgjidhje për këtë çështjen e testosteronit në gjak, në rast se është mbi 5? Ajo që lejon edhe Federata Ndërkombëtare e Volejbollit. Pra, ka diçka që i jep një zgjidhje apo thjesht sportistja nuk mund të luajë më volejboll?”

Ervis Dosti: “Dhe kjo është shumë e përcaktuar. Siç e ceka edhe më sipër, në rregulloren e FIVB (Federata Botërore e Volejbollit), në raste të veçanta kur kemi të bëjmë me sportiste që kanë një nivel të lartë të testosteronit, ato i nënshtrohen ekzaminimeve të përshtatshme dhe kurove të specializuara që ndikojnë në uljen e testosteronit përkatës, duke e bërë atë të përshtatshëm për të luajtur në kategorinë specifike për femra.”

Trevisa Tufa: “Ndërkohë Nayara ka mbi 15 vite karrierë, ka luajtur le të themi në vende pak më të mëdha se sa Shqipëria, si Spanja, Portugalia dhe shumë vende të tjera. Po përse lindën këto dyshime pikërisht për këtë lojtare? Keni komunikuar ju ndoshta edhe me Federata të tjera ku ajo ka qenë pjesë për këtë çështje, nëse ka pasur edhe në të kaluarën një rast të ngjashëm, por ndoshta nuk është bërë publike, pra po themi para se ju t’i kërkonit vetë lojtares në fjalë një test gjinie?”

Ervis Dosti: “Është për t’u përmendur që Federata e Volejbollit Shqiptar ka pasur një korespondencë me Federatën Botërore të Volejbollit, pasi, siç e përmenda më sipër, ky është rast i veçantë që përdoret si rast referimi, jo vetëm në disiplinën e volejbollit, por mendoj në të gjitha disiplinat sportive në Shqipëri. Por kjo nuk është një rast i kufizuar në arenën ndërkombëtare. Më lini të kujtoj një rast: në Kampionatin Botëror U-19 për femra që u zhvillua në muajin gusht, kemi pasur pikërisht të njëjtin rast. Përfaqësuesja e ekipit të Serbisë ngriti një ankesë dhe pretendim për dy sportiste të ekipit të Vietnamit. Këto dy sportiste u pezulluan pasi njëra ishte me prezencë të kromozonit Ypsilon, kurse sportistja tjetër ishte me nivel të lartë të testosteronit në trupin e saj. Pra, kemi të bëjmë me të dyja rastet që janë pjesë e përcaktimit të përkatësisë gjinore në një disiplinë sportive.”

Trevisa Tufa: “Ndërkohë ju keni kontaktuar së fundmi me volejbollisten në fjalë, me Nayarën, ose ndoshta edhe me përfaqësues të saj dhe si do vijojë kjo çështje në vazhdimësi?”

Ervis Dosti: “Federata Shqiptare e Volejbollit gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në kontakt dhe në bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatës dhe ekipit sportiv. Por, nga ana e tyre është vërejtur një lloj mosdakordësie, mendoj mospranimi i të gjithë kësaj situate, pasi pretendojnë se kemi të bëjmë me një lloj diskriminimi. Ne mbetemi në pritje që sportistja në fjalë të kryejë këtë ekzaminim mjekësor laboratorik dhe gjithçka të kthehet në normalitet. Sportistja, besoj, do të kthehet në fushën e lojës deri në përgjigjen dhe daljen e rezultateve.”

Trevisa Tufa: “Z.Dosti, unë të falenderoj shumë që ishte sot pjesë e Sport Neës për të dhënë edhe ju vetë anën tuaj të historisë.”

Ervis Dosti: “Ishte vërtetë kënaqësi. Faleminderit edhe ju për mundësinë që na krijuat në mënyrë që edhe ne të shprehim qëndrimet tona, por mbi të gjitha, të krijojmë një lloj harmonie dhe një lloj bashkëpunimi jo vetëm në pjesën institucionale mes shoqatave që ne kemi aktorë dhe partnerë, por edhe për publikun e gjerë. Faleminderit.”

Scroll to Top