**Dy kompani shtetërore, Ujësjellësi i Tiranës dhe Identitek, shënojnë fitime rekord në vitin 2025**
Dy kompani shtetërore, “Ujësjellës dhe kanalizime Tiranë” dhe prodhuesi i kartave të identitetit “Identitek”, të cilat kanë si qëllim parësor ofrimin e shërbimeve publike, janë kthyer në burime të konsiderueshme fitimi për shtetin. Këto fitime nuk po kanalizohen në uljen e tarifave për konsumatorët.
Sipas raporteve vjetore, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka raportuar të ardhura prej 4.5 miliardë lekësh në vitin 2025, me një rritje prej 2.7%. Fitimi para taksave u rrit ndjeshëm me gati 30%, duke arritur në 1.5 miliardë lekë (rreth 16 milionë euro).
Edhe kompania shtetërore “Identitek”, prodhuese e kartave të identitetit dhe pasaportave, e cila ka marrë përsipër aktivitetin e koncesionarit “Aleat”, ka raportuar të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh në vitin 2025, megjithëse me një rënie vjetore prej 3.8%. Edhe në këtë rast, viti 2025 ka qenë pozitiv për fitimet, të cilat kanë arritur gati 1.8 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro), duke shënuar një rritje 10% nga viti i mëparshëm.
Të dy operatorët shtetërorë kanë fituar së bashku rreth 3.3 miliardë lekë, ose gati 35 milionë euro në vitin 2025. Normat e tyre të fitimit luhaten mes 30-50%, shumë më të larta se mesatarja e tregut prej rreth 9-10%, sipas INSTAT. Në praktikën ndërkombëtare, kompanitë që ofrojnë shërbime publike në kushte monopoli zakonisht rregullohen me parimin që tarifat të mbulojnë kostot e shërbimit, investimet e nevojshme dhe një kthim të arsyeshëm, por jo të prodhojnë norma të larta fitimi të shkëputura nga cilësia e shërbimit. Në sektorin e ujit, për shembull, theksi vihet te balanca mes rikuperimit të kostove, qëndrueshmërisë financiare dhe përballueshmërisë së tarifave për konsumatorët.
**Ujësjellësi i Tiranës: Normë fitimi 33%, por pa ujë 24 orë në ditë**
Ujësjellës-Kanalizime Tiranë raportoi një normë fitimi prej 33% në vitin 2025, ndërsa fitimi në vlerë arriti rekordin e tij që nga viti 2018. Niveli më i lartë i fitimeve para taksave deri tani ishte në vitin 2023, me gati 1.3 miliardë lekë. Në vitin 2018, çmimi i ujit në Tiranë u rrit mesatarisht me 44%. Nga ai vit, kur UKT filloi të operonte si e vetme pas ndarjes me Kamzën dhe Vorën, kompania raporton fitime prej 10-12 milionë euro në vit (me përjashtim të vitit 2020).
Në atë kohë, rritja e çmimit u argumentua me nevojën për të përmirësuar gjendjen financiare të UKT-së dhe për të financuar investime që synonin furnizimin e Tiranës me ujë 24 orë në ditë brenda pesë viteve. Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se ky objektiv nuk u realizua. Në vitin 2024, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë raportonte mesatarisht vetëm 17 orë furnizim me ujë në ditë, një nivel i pandryshuar nga vitet 2022 dhe 2023, ndërsa në shumë zona uji furnizohet vetëm për disa orë në ditë.
Fitimi kumulativ para taksave i ujësjellësit nga viti 2018 deri në 2025 arrin në rreth 9.1 miliardë lekë. Ndërkohë, qytetarët detyrohen të blejnë ujë të pijshëm për shkak të cilësisë së dobët të ujit të rubinetit.
**”Identitek” fiton gjysmën e shpenzimeve të publikut për karta identiteti**
“Identitek” ka treguar një kthim edhe më të lartë prej 51%, çka do të thotë se për çdo 100 lekë të arkëtuara nga aplikuesit për pasaportë apo kartë identiteti, 51 lekë janë fitime të kompanisë. “Identitek” filloi aktivitetin e prodhimit të kartave të identitetit në vitin 2023, pas përfundimit të koncesionit të kompanisë franceze “Aleat”.
“Identitek” ka tejkaluar edhe koncesionarin, i cili në vitin e tij më të mirë, 2021, kishte një normë fitimi prej 40% dhe arriti të ardhurat prej 5.5 miliardë lekësh. Shtetasit shqiptarë përballen me kostot më të larta në rajon për marrjen e pasaportave dhe kartave të identitetit. Në Shqipëri, një pasaportë biometrike kushton 7500 lekë (rreth 75 euro). Me afat të përshpejtuar, tarifa rritet në 18 mijë lekë (rreth 180 euro). Mesatarja europiane për dokumente të ngjashme luhatet rreth 70-80 euro, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor kanë çmime mes 30-40 euro, duke përjashtuar Shqipërinë, e cila është shumë më pranë mesatares së BE-së.
*Burimi: Bilancet në QKB*
