Mjete të rënda: Kontrolle të shtuara, 4 pika peshimi, inspektimi rrugor

Shmangia e kontrollit vjetor të mjeteve, shtohen inspektimet dhe vendosen 4 pika për peshimin e mjeteve të rënda

Qeveria synon të forcojë kontrollin teknik periodik dhe inspektimet në rrugë, pasi Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore ka konstatuar se një numër i konsiderueshëm mjetesh nuk i nënshtrohen kontrolleve vjetore. Këto masa, pjesë e planit të veprimit të strategjisë, kanë për qëllim rritjen e verifikimit të gjendjes teknike të automjeteve që qarkullojnë në rrjetin rrugor.

Dokumenti parasheh përmirësimin e sistemit të kontrollit teknik periodik dhe forcimin e kontrolleve të kryera në rrugë nga Policia Rrugore dhe Task-Forca. Për periudhën 2028–2029, planifikohen inspektime të përbashkëta dhe monitorimi i përqindjes së automjeteve që rezultojnë me mangësi teknike.

Strategjia gjithashtu kërkon përafrimin e procedurave shqiptare me kërkesat e Bashkimit Evropian për kontrollet teknike periodike dhe inspektimet rrugore. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor do të monitorojë “përqindjen e automjeteve që marrin rezultat negativ në kontrollin teknik”, sipas dokumentit.

Masat përfshijnë edhe automjetet e specializuara, duke përfshirë mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme. Lidhur me transportin e rëndë, plani parashikon krijimin e “4 vendeve të sigurta për kontrollin e mjeteve të rënda”, ku do të verifikohen pesha dhe shpejtësia. Autoriteti Rrugor Shqiptar do të jetë përgjegjës për caktimin dhe rregullimin e këtyre pikave, në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Task-Forcën.

Strategjia e lidh kontrollin e peshës së mjeteve të rënda me “mbrojtjen e investimeve publike”, përmirësimin e sigurisë rrugore, transportin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit.

Scroll to Top