Flamur Noka kundër kandidatëve të PD-së: Kushtet e papërshtatshme

Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka komentuar procesin e kandidimeve për drejtimin e partisë, duke vlerësuar se cilët nga emrat që kanë shprehur interes për këtë rol përfaqësojnë vlerat demokratike.

Në një prononcim për mediat nga selia e PD-së, Noka ka justifikuar mosregjistrimin e Ervin Salianjit dhe Alesia Balliut si kandidatë për kryetar të partisë, duke i akuzuar për lidhje me figura pranë qeverisë.

Sipas tij, Salianji është “shërbëtor i Ergys Agasit”, ndërsa Balliu është “e lidhur me Karlo Bolinon”, të cilin Noka e ka etiketuar si “Vari Karlo”.

“Për Gyshin nuk do të jetë kurrë kjo derë e hapur. Për ‘Vari Karlon’ nuk do të jetë kjo derë e hapur. Kur të hapet gara për administratorin e Gysit, le të aplikojnë atje. Për të qenë pjesë e PD duhet së pari të jesh demokrat dhe jo t’i shërbesh Ramës, por demokratëve,” ka deklaruar Noka.

Sipas tij, e vetmja demokrate që plotëson kriteret për të kandiduar për kryetare të PD-së është Mereme Sela, kërkesa e së cilës është pranuar nga strukturat e partisë.

“Mereme Sela është demokrate, është anëtare e partisë. Plotësimi i kritereve është çështje e institucioneve, por ajo është demokrate,” ka shtuar Noka.

Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike pritet të mbahen më 18 prill. Megjithatë, ka rënë në sy afati i shkurtër për regjistrimin e kandidaturave, pasi nga publikimi i vendimit deri në dorëzimin e dokumenteve kanë qenë më pak se 24 orë.

Në primaret e një viti më parë, organizuar për përzgjedhjen e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet parlamentare të 25 majit 2025, Mereme Sela mori 43 vota në qarkun e Durrësit.

Mjekja Mereme Sela e paraqiti kandidaturën brenda afatit kohor për dorëzimin e dokumentacionit për garën për kreun e PD-së. Ajo deklaroi se sekretari organizativ, Ervin Minarolli, i kishte sugjeruar ta linte dosjen e saj të kandidimit te recepsioni.

Sela ka kujtuar se ka qenë kandidate në primaret e qarkut të Durrësit në vitin 2025, duke theksuar se angazhimi i saj në PD daton që nga viti 2014.

“Role drejtuese nuk më është dhënë kurrë. Unë garoj për kryetare të Partisë Demokratike dhe në qoftë se popullit i intereson shëndeti, arsimi, fëmija, jam një nga personat me gjithë sfondin e duhur. Edhe në primaret në qarkun e Durrësit kam kërkuar që të gjithë kandidatët të prezantojnë programin e tyre. I kam lexuar kriteret,” ka thënë Sela.

Ajo ka shtuar: “Kam shumë respekt për Doktorin sepse e kam koleg, profesor. Unë betejën e kam: nëse popullit dhe anëtarësisë i intereson një person me figurë të pastër, të papërlyer, pa asnjë lloj impakti për të gjithë shqiptarët, jam unë. Po të duan, le të më votojnë. Dy shtyllat kryesore janë shëndetësia dhe arsimi.”

Scroll to Top