Garë PD: Kandidatura refuzuar, Berisha pa rivalë

“`html

Titulli: Gara për kreun e PD: Berisha pranon vetëm aplikimin e një mjekeje, u mbyll dyert Kokalarit, Balliut dhe Salianjit

Në mesditë skadon afati për dorëzimin e kandidaturave për zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike. Sali Berisha duket se ka siguruar një garë pa rivalë, duke u bazuar edhe në një udhëzim të ri të publikuar vetëm 24 orë para afatit përfundimtar. Ky udhëzim përjashton nga gara të dënuarit me vendim të formës së prerë, si dhe ata që nuk janë anëtarë të partisë.

Evi Kokalarit, Alesia Balliut dhe Ervin Salianjit nuk u është pranuar aplikimi. Përfaqësuesit e Salianjit kanë lënë dokumentet simbolikisht në recepsion. Të tre kandidatët kanë deklaruar se do të dorëzojnë dokumentacionin edhe në rrugë elektronike, megjithëse gjasat për t’u pranuar si kandidatë janë të pakta.

I vetmi aplikim që është pranuar është ai i mjekes Mejreme Sela, ndërsa e vetmja kandidaturë e zyrtarizuar deri më tani është ajo e Sali Berishës.

Udhëzimi, daton 18 mars por i publikuar vetëm një ditë më parë, duke lënë vetëm 24 orë kohë për përgatitjen e dokumenteve, përjashton automatikisht nga gara të dënuarit me vendim të formës së prerë. Kjo pikë, sipas artikullit, i referohet Ervin Salianjit, i cili është dënuar me 1 vit burg për dosjen ‘Babale’.

Sali Berisha ka deklaruar se Evi Kokalari nuk mund të jetë pjesë e garës pasi nuk është anëtare e Partisë Demokratike, një prej kritereve bazë. I njëjti argument vlen dhe për Alesia Balliun. Ndërkohë, për Ervin Salianjin përdoret edhe termi “vetëpërjashtim”, pasi është shprehur kundër drejtuesve të partisë, duke u bërë kështu edhe një arsye më shumë për të mos qenë në garë.

Përfaqësuesi i Ervin Salianjit nuk u lejua të dorëzonte në ambientet e PD dosjen me dokumentet për kandidimin për kryetar partie. Orest Berberi e ka lënë dosjen në recepsion si një gjest simbolik, ndërsa pritet që kandidatura të dorëzohet edhe përmes emailit, raporton Report TV.

Kokalari nuk heq dorë: Përveç Berishës, ka dërguar aplikimin edhe tek Shkëlzen Berisha, Vokshi, Noka, Kaso dhe Bozdo

Pasi aplikimi i është refuzuar në selinë blu, Evi Kokalari e ka dërguar dokumentacionin edhe në rrugë elektronike, jo vetëm në adresë të Sali Berishës, por edhe të djalit të tij Shkëlzenit, Albana Vokshit, Ivi Kasos, Flamur Nokës dhe Eno Bozdos.

Evi Kokalari ka publikuar një postim ku shkruan: “Po e bëj publike që të mos ketë debate kur të vijë momenti për gjykatë, SPAK apo DASH. Është ora 11:25 e mëngjesit në Tiranë dhe aplikimi, pasi është refuzuar në seli, është nisur me DHL, me email për Berishën, si dhe përmes WhatsApp dhe Telegram te Shkëlzen Berisha, Albana Vokshi, Sali Berisha, Ivi Kaso, Flamur Noka dhe Eno Bozdo. Uroj që media t’i pasqyrojë këto detaje me orët përkatëse, në mënyrë që të mos ketë debate mbi dorëzimin e aplikimit.”

Ish-deputeti Salianji: Berisha barrë për partinë, të bëjë një hap pas, u izolua nga ndërkombëtarët

Përfaqësuesi i Ervin Salianjit nuk u lejua të dorëzonte në PD dosjen me dokumentet për kandidimin në garën për kryetarin. Orest Berberi e ka lënë dosjen në recepsionin e PD si një gjest simbolik, ndërsa pritet që kandidatura të dorëzohet edhe përmes emailit.

Report TV ka arritur të zbardhë platformën e Salianjit me 10 pika për reformimin e PD-së. Në dokumentet për kandidaturën e tij, Salianji thekson se Partia duhet të lërë pas të shkuarën dhe të shohë drejt së ardhmes. Salianji është i drejtpërdrejtë me Berishën, duke shkruar se koha e tij ka mbaruar dhe ai është një barrë për partinë. Sipas Salianjit, Berisha duhet të bëjë një hap pas pasi është i izoluar ndërkombëtarisht dhe i pafuqishëm për të frymëzuar dhe mobilizuar.

Letra e Salianjit për kandidimin:

Partia Demokratike duhet t’i rikthehet vlerave të saj themeluese. Ajo duhet të bëhet promotore e lirisë, cilësisë, përgjegjësisë, ndryshimit, shtetit të së drejtës, anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe garante e Partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke bërë këtë kapërcim cilësor, ajo do të hapet, do të modernizohet dhe do të fitojë. Kjo është pritshmëria e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve që presin të bashkohen rreth saj: Partia Demokratike duhet të sjellë rotacionin duke fituar kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Ajo duhet të frymëzojë ndryshimin dhe të çojë mbi 800.000 votues në kutitë e votimit në mbështetje të saj dhe forcave opozitare.

Partia Demokratike duhet të shohë veten sërish si një parti masash dhe jo parti individi. Nëse kjo nuk ndodh, ajo do tkurret, do zvogëlohet dhe do rrezikojë të shuhet. Demokratët, dhe veçanërisht përfaqësuesit e tyre që nuk reagojnë, i kanë bërë llogaritë gabim me kohën dhe me ndërgjegjen.

Fati i Partisë Demokratike është i lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë. Përgjegjësia historike do të peshojë si gur i rëndë në kurrizin e të gjithë atyre që do të heshtin apo shmangen.

Kjo platformë nis nga një bindje e qartë: Shqipëria nuk meriton të mbetet më në tranzicion. Shqipëria do të lërë pas tranzicionin ditën që ajo të nënshkruajë aktin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ky akt duhet të firmoset nga Partia Demokratike. Ky akt nuk do të firmoset as nga Edi Rama dhe as nga Sali Berisha.

Partia Demokratike duhet të lërë pas të shkuarën dhe të shohë drejt të ardhmes. Sali Berisha është lideri historik i Partisë Demokratike. Ai është udhëheqësi i ndryshimeve në vitin 1990, ai është udhëheqësi i fitoreve të Partisë Demokratike dhe këto merita do t’i njihen përjetësisht. Por koha e tij ka mbaruar. Ai sot është një barrë për Partinë Demokratike dhe të gjithë popullin opozitar. Ai sot është i vjetëruar, i vonuar, i izoluar ndërkombëtarisht dhe i pafuqishëm për të frymëzuar dhe për të mobilizuar për shkak të mosmbajtjes së premtimeve dhe konsumimit prej pushtetit të panderprerë prej 36 vitesh. Ai pengon bashkimin e shqiptarëve me PD në emër të rotacionit. Ai pengon bashkimin e të gjithë forcave opozitare nën udhëheqjen e Partisë Demokratike.

Sali Berisha duhet të bëjë një hap pas dhe të ndihmojë Partinë Demokratike të rimëkëmbet, ripërtërihet dhe të fitojë.

Vizioni i Partisë Demokratike për Shqipërinë duhet të jetë një vend që funksionon mbi standarde europiane, ku qytetari ndjen siguri, drejtësi dhe mundësi reale për të ndërtuar jetën e tij. Ku familja qëndron në qendër të çdo vendimarrje. Një Shqipëri normale, me një shtet të vogël e të përgjegjshëm që garanton e përkujdeset për shtetasit e tij.

Integrimi europian nuk duhet të trajtohet si slogan politik, por si një proces përmbajtësor dhe kulturor që prek çdo sektor, nga ekonomia, te drejtësia, administrata publike, tek të drejtat e njeriut dhe demokracia. Partia Demokratike duhet të jetë fuqia që e çon vendin drejt këtij standardi, me përfaqësim cilësor, me politika konkrete, dhe me besueshmëri ndërkombëtare. Për ta bërë këtë, ajo duhet të ndryshojë. Nga ndryshimi i Partisë Demokratike kalon kursi i ri i Shqipërisë. Unë kësaj përgjegjësie nuk i shmangem. Kandidimi im është një vetëdije se gjithçka është thënë më lart është e vërtetë, i bindur se ky vendim i vështirë, por i drejtë është rruga e vetme për ndryshimin e Partisë Demokratike dhe ardhjen saj në pushtet.

10 pika për një kontratë e re për Shqipërinë “Rikthimi i Besimit – Fuqizimi i së Djathtës – Fitorja e Shqipërisë”

  • 1. Mandati i Kryetarit të Partisë Demokratike: Partia Demokratike duhet të garantojë identitetin e saj si Parti Masash. Kryetari i Partisë Demokratike ka përgjegjësinë kryesore për rezultatin zgjedhor. Kryetari i Partisë është kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike. Në çdo rast kur ai vendos ta delegojë këtë përgjegjësi, ai duhet të marrë miratimin e organit më të lartë vendimarrës të Partisë Demokratike. Kryetari i Partisë zgjidhet me parimin një anëtar – një votë një herë në 4 vite. Kryetari i Partisë nuk lejohet të ketë më shumë se 2 mandate. Përjashtim nga ky rast është kur kryetari është Kryeministër. Nëse Kryetari i Partisë humbet zgjedhjet duke qenë në detyrën e Kryeministrit, atij i mbaron mandati menjëherë, pa të drejtë rikandidimi. Kjo normë është e detyrueshme edhe nëse kryetari nuk e ka ushtruar mandatin e dytë.
  • 2. Hapja e Partisë, përfaqësimi dhe listat e kandidatëve për deputet: Kriza e besimit ndaj politikës dhe në këtë rast Partisë Demokratike lidhet drejtpërdrejt me mungesën e transparencës në vendimarrje, me mungesën e përfaqësimit dhe mungesën e shanseve të barabarta. Partia Demokratike duhet të shndërrohet në një organizatë politike moderne, ku vendimmarrja nuk është e centralizuar, por e shpërndarë dhe e konsultuar sipas përgjegjësive të drejtuesve dhe anëtarëve të saj. Partia Demokratike duhet të bëhet magnet për ekspertët dhe profesionistët, duke ndërtuar një elitë politike që jo vetëm fiton zgjedhje, por bind se mund të qeverisë me kompetencë. Hapja nuk është vetëm proces formal, por kulturë politike: përfshirje reale, debat i brendshëm dhe respekt për mendimin ndryshe. Vetëm një parti e dyerve të hapura mund të rikthejë energjinë e humbur dhe të mobilizojë elektoratin. Partia Demokratike duhet të ruajë strukturën e vendimarrjes së saj nëpërmjet anëtarësisë, por për të fituar ajo duhet gjithashtu të garantojë kuotat e përfaqësimit për gruan, të rinjtë si dhe intelektualët apo personalitete me peshë në shoqëri. Këta të fundit duhet të jenë përgjegjësi eskluzive e Kryetarit të Partisë i cili ka përgjegjësinë kryesore të rezultatit zgjedhor. Listat e hapura 100%. Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve: 20% të listave shumëemërore kuotë eskluzive e kryetarit (Intelektualë, Shoqëri Civile, profesionistë, njerë me reputacion në zona zgjedhore) – 80% e listës shumëemërore e propozuar dhe e miratuar nga anëtarësia. Kuotat e përfaqësimit: 40% Femra, 30% e listës nën 35 vjeç, 10% të kandidatëve nga diaspora. Shënim: subjekt i kuotave janë 100% të listave shumëemërore.
  • 3. Përfaqësimi ideologjik si bosht i programit elektoral: vlerat dhe morali i së djathtës si nevojë historike për Shqipërinë: Identiteti politik i Partisë Demokratike duhet të jetë i qartë dhe i qëndrueshëm. Kjo nënkupton rikthim te vlerat e së djathtës tradicionale: mbrojtja e pronës private, ekonomia e tregut, roli i kufizuar i shtetit dhe respekti për traditën dhe familjen. E djathta si ideologji përfaqëson besimin tek liria individuale dhe përgjegjësia. Ajo ndërtohet mbi bindjen se zhvillimi i qëndrueshëm vjen nga iniciativa private, puna e ndershme dhe konkurrenca e lirë, duke krijuar hapësira reale për sipërmarrjen, inovacionin dhe suksesin personal. Partia Demokratike duhet të jetë promotore e saj, duke mbrojtur pa ekuivoke në diskurin e saj publik pronën private, familjen si bërthamë të shoqërisë dhe identitetin kombëtar si vlerë që duhet ruajtur dhe forcuar. Partia Demokratike duhet të jetë zëri që përfaqëson nevojën për rolin e kufizuar, por efektiv të shtetit në jetën e qytetarëve. Një shtet që garanton rendin, drejtësinë dhe shërbimet bazë, pa u bërë pengesë për energjinë krijuese të individit. Në programin e saj elektoral PD duhet t’i brendësojë këto parime, të integrojë lirinë nga nevoja si përgjegjësi shtetërore, duke i dhënë çdo qytetari mundësinë të ushtrojë përgjegjësitë e tij e kësisoj të ketë mundësinë të ndërtojë vetë të ardhmen e tij. Mbi të gjitha Partia Demokratike duhet të artikulojë qartë se zgjidhjet e mëdha për Shqipërinë kalojnë nga mbështetja për familjen. Garantimi i strehimit nga shteti për çiftet e reja, mbështetja e lindshmërisë, statusi i veçantë për nënën me garanci të forta financiare janë totalisht në pajtueshmëri me moralin e së djathtës. Duke bërë këtë, ajo do të përfaqësojë të djathtën historike, pronarët, sipërmarrësit, diasporën dhe të gjithë shqiptarët që sot në shumicë duan ndryshimin. Vetëm duke qenë e qartë në identitetin e saj, Partia Demokratike mund të krijojë besim dhe të diferencohet në skenën politike.
  • 4. Forumi i Gruas dhe FRPD: shtylla të suksesit elektoral të Partisë Demokratike: Forumi i gruas dhe FRPD janë dy shtylla të rëndësishme të suksesit elektoral të Partisë Demokratike. Sipas të dhënave numerike, rreth 220.000 të rinj nën 30 vjeç nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e fundit. Forumi Rinor i Partisë Demokratike duhet të jetë struktura më e mbështetur e PD. Të rinjtë përfaqësojnë potencialin më të madh të pashfrytëzuar. Për shumë vite, ata janë trajtuar si mbështetje periferike, si fasadë për takime dhe asnjëherë si aktorë vendimmarrës. Kjo platformë synon përfaqësimin e tyre dhe një ndryshim rrënjësor: të rinjtë do të përfaqësojnë peshën e mesazhit politik të Partisë Demokratike; të rinjtë do përfaqësojnë 30% të listave shumëemërore të Partisë Demokratike; të rinjtë nuk do lejohen të bëjnë fasadën e takimeve. Mandati i Kryetarit të FRPD do jetë 5 vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Nëse situata për FRPD është problematike, në rastin e Forumit të Gruas është dramatike. Në zgjedhjet e fundit, raporti i votueses femër mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste është 1 me 4. Pra, vetëm 25% të femrave kanë votuar për koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike. Rritja e kuotës së përfaqësimit në 40% duhet të shoqërohet me ndryshime drastike dhe mbështetjen e fuqishme për Forumin e Gruas. Aktualisht ky forum është jo përfaqësues dhe i padenjë për emrin e Partisë Demokratike. Kjo platformë vendos si prioritet identifikimin dhe promovimin e vajzave dhe grave me integritet, profesionalizëm dhe peshë.
  • 5. Fuqizimi i degëve dhe decentralizimi i buxhetit të Partisë Demokratike: Fuqizimi i degëve dhe decentralizimi i buxhetit përbëjnë një shtyllë thelbësore për rritjen elektorale të Partisë Demokratike. Ky parim i bën degët më funksionale dhe synon të shtojë vendimmarrjen dhe përgjegjësitë, duke u dhënë degëve lokale më shumë autonomi në identifikimin e prioriteteve, organizimin e aktiviteteve dhe ndërtimin e marrëdhënieve me komunitetin. Një strukturë e tillë rrit përgjegjshmërinë, transparencën dhe efikasitetin, pasi çdo degë bëhet drejtpërdrejt përgjegjëse për rezultatet e saj. Në thelb, ky model forcon demokracinë e brendshme të partisë, rrit pjesëmarrjen e anëtarësisë dhe e bën Partinë Demokratike më konkurruese dhe më të besueshme në sytë e qytetarëve. Pajtueshmëri mes mandatit të kryetarit të Degës me kandidaturën për deputet, Kryetar Bashkie apo çdo organ tjetër përfaqësues. Buxhetim i degëve lokale nga qendra bazuar në peshën e popullatës së përfaqësuar. Autonomi financiare dhe organizative për strukturat lokale. Buxhet transparent dhe i votuar nga anëtarësia.
  • 6. Struktura e Partisë Demokratike: Meritë dhe përgjegjësi: Vendosja e meritokracisë si standard dhe e përgjegjshmërisë si normë funksionimi e kthen Partinë Demokratike në një organizatë moderne, efikase dhe të denjë për të udhëhequr. Të gjithë duhet të bëjnë një hap pas në rast se rezultati zgjedhor nuk është ai i synuari dhe të gjithë duhet të shpërblehen nëse arrijnë rezultatin. Të gjitha këto duhet të reflektohen në Statut. Tërheqje pa të drejtë kandidimi për çdo kryetar Dege, grupseksioni apo seksioni me rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme. Rimandatim automatik për çdo kryetar dege, grupseksioni, apo seksioni që arrin rezultat më të mirë se zgjedhjet e mëparshme.
  • 7. Modernizimi dhe struktura e komunikimit politik: nga partia e protestës tek partia qeverisëse: Partia Demokratike duhet të kalojë nga një model komunikimi i ndërtuar mbi reagimin dhe protestën, në një arkitekturë moderne komunikimi që prodhon vizion, besim dhe zgjidhje konkrete për qytetarët. Protesta është mjet, por qeverisja është qëllim. Dhe për të arritur këtë, duhet të ndryshojmë mënyrën si flasim, si organizohemi dhe si ndërtojmë narrativën tonë politike. Komunikimi ynë duhet të jetë i unifikuar, strategjik dhe i orientuar drejt rezultateve. Nuk mjafton të denoncojmë problemet; duhet të artikulojmë alternativa të qarta, të matshme dhe të besueshme. Çdo zë i Partisë Demokratike, nga qendra në degë, duhet të flasë me të njëjtën gjuhë: gjuhën e programit, të përgjegjësisë dhe të qeverisjes. Kjo kërkon një strukturë të re komunikimi, të profesionalizuar, që ndërton mesazhe të qarta, përdor inteligjencën e të dhënave dhe angazhon qytetarët në kohë reale. Në epokën digjitale, beteja politike fitohet edhe në hapësirën e perceptimit. Prandaj, modernizimi i komunikimit do të thotë investim në teknologji, në media të reja dhe në ndërtimin e një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë me qytetarët. Nuk komunikojmë vetëm për të reaguar ndaj kundërshtarit, por për të udhëhequr debatin publik dhe për të vendosur agjendën politike të vendit. Nga partia e protestës, ne duhet të bëhemi partia e alternativës. Nga zëri i pakënaqësisë, në zërin e shpresës. Nga reagimi, në vizion. Ky është transformimi që kërkon koha dhe ky është rrugëtimi që do ta bëjë Partinë Demokratike një forcë të besueshme qeverisëse, gati për të marrë përgjegjësinë dhe për të ndërtuar të ardhmen që qytetarët meritojnë. E vërteta është arma e opozitës, dhe asgjë më të fuqishme nuk ka në komunikim politik se e vërteta.
  • 8. Bashkimi në diversitet dhe bashkimi i opozitës si rruga e vetme për rotacionin: Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se rotacioni politik nuk është thjesht një ambicie, por një domosdoshmëri për demokracinë. Dhe kjo nuk mund të arrihet me një opozitë të fragmentuar, të ndarë dhe të përçarë. Bashkimi i opozitës nuk është zgjedhje taktike, por është kushti i vetëm për të rikthyer balancën politike dhe për t’i dhënë qytetarëve një alternativë reale qeverisëse. Koha e ndasive të vogla duhet të marrë fund. Interesi i përbashkët, largimi i një modeli të konsumuar qeverisës dhe ndërtimi i një alternative të re, duhet të qëndrojë mbi çdo interes personal apo partiak. Bashkimi nuk do të thotë uniformitet, por koordinim, respekt reciprok dhe ndarje e qartë rolesh mbi bazën e kontributit dhe peshës reale politike. Pranimi i të ndryshmit dhe i fraksionit jo vetëm normë në PD, por duhet të edukohet gjithashtu. Një opozitë e bashkuar krijon energji, besim dhe mobilizim shoqëror. Ajo rrit pjesëmarrjen, maksimizon votën dhe shmang shpërndarjen e saj, duke e kthyer çdo votë në forcë për ndryshim. Në këtë kuptim, bashkimi është jo vetëm strategji elektorale, por edhe akt përgjegjësie ndaj qytetarëve që presin ndryshim.
  • 9. Shteti i së drejtës: mbështetje për SPAK: Mbështetje për SPAK nuk është thjesht një qëndrim politik, por një angazhim i qartë për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. SPAK duhet të ketë jo vetëm mbështetje deklarative, por garanci reale për pavarësinë, burimet dhe mbrojtjen nga çdo presion politik. Çdo tentativë për ta dobësuar apo delegjitimuar këtë institucion është një hap pas për shtetin e së drejtës dhe për besimin e qytetarëve tek drejtësia. Ne duhet të jemi të qartë: askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht funksionit apo pushtetit që mban. Mbështetja për SPAK është një mesazh për qytetarët se koha e pandëshkueshmërisë po merr fund dhe se drejtësia po bëhet realitet. Është gjithashtu një mesazh për partnerët ndërkombëtarë se Shqipëria është e vendosur të ndërtojë institucione të forta dhe të besueshme dhe Partia Demokratike këtë angazhim e ka prioritet. SPAK ka delegjitimuar Qeverisjen e Edi Ramës. I ka prerë krahët atij dhe Partia Demokratike së bashku me opozitën duhet ta mbështesin.
  • 10. PD protagoniste e integrimit europian dhe në partneritet të ngushtë me SH.B.A: Partia Demokratike ka qenë dhe duhet të mbetet forca udhëheqëse e rrugëtimit europian të Shqipërisë, duke e vendosur integrimin në Bashkimin Europian si një prioritet kombëtar të panegociueshëm. Ky proces nuk është thjesht një objektiv diplomatik, por një projekt transformues për shtetin, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. PD duhet të jetë garant i reformave të thella që afrojnë Shqipërinë me standardet europiane: sundimi i ligjit, ekonomia e lirë, institucionet e forta dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një gur themeli i sigurisë, demokracisë dhe zhvillimit të vendit. Marrëdhënia me SHBA nuk është vetëm historike, por edhe jetike për të ardhmen tonë, në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar dhe sfiduese. PD duhet të thellojë këtë partneritet përmes bashkëpunimit në fushën e sigurisë, drejtësisë, zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit demokratik. Një Parti Demokratike e fortë dhe e modernizuar është garancia më e mirë që Shqipëria të ecë me ritëm të shpejtë drejt Europës dhe të mbetet një aleat i besueshëm i SHBA-ve. Ky është vizioni ynë: një Shqipëri plotësisht e integruar në familjen europiane dhe e ankoruar fort në aleancën euroatlantike, ku liria, demokracia dhe prosperiteti janë realitet për çdo qytetar.

Alesia Balliu dërgon përfaqësuesin në selinë blu: Askush s’merr përsipër ta pranojë kërkesën për kandidim!

Alesia Balliu ka deklaruar se askush në selinë e Partisë Demokratike nuk pranon që t’i marrë në dorëzim përfaqësuesit të saj kërkesën për kandidim në zgjedhjet për kreun e PD-së. Balliu i drejtohet Sali Berishës duke e quajtur “frikacak” dhe duke i thënë se “gjithmonë ka një moshë të koritesh por ti zgjodhe moshën më të keqe”. Përveçse fizikisht nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Balliu ka dorëzuar kërkesën edhe nëpërmjet emailit.

Postimi i plotë i Alesia Balliut:

“Berishë Frikacaku! Berishë burrat në veri nuk i shmangen garës dhe nuk i druhen përballjes, përkundrazi, e kërkojnë atë. Por sot, ajo që po ndodh brenda Partisë Demokratike është zhgënjyese. Kam dorëzuar një kërkesë zyrtare për të hyrë në garën për kreun e PD-së, dhe askush nuk po e merr përsipër ta pranojë. Ky nuk është thjesht një refuzim, është një tregues i qartë i mungesës së transparencës dhe garës së ndershme. Berishë, gjithmonë ka një moshë të koritesh por ti zgjodhe moshën më të keqe. PD do t’ju kthehet demokratëve, mos e harro kurrë, nuk do ta gëzosh atë parti Sali Berisha.”

“`

Scroll to Top