Alarm në Angli para Kupës së Botës, rritet frika te skuadra e Tuhel
Kombëtarja e Anglisë po e monitoron me kujdes rrezikun e një shpërthimi të fruthit gjatë Kupës së Botës 2026. Sipas raportimeve të mediave, Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një nga valët më të mëdha të fruthit në dekada, dhe kjo situatë është përfshirë në udhëzimet e sigurisë shëndetësore të shpërndara për të gjitha 48 kombëtaret pjesëmarrëse në turne.
Megjithatë, një raport i publikuar në Gjermani, sipas të cilit FIFA po detyron të gjithë lojtarët dhe anëtarët e stafeve të vaksinohen, është vlerësuar si i pasaktë. Burime pranë organizatës sqarojnë se FIFA ofron vetëm rekomandime dhe këshilla, pa vendosur detyrime.
Ekspertët, të cituar nga publikime shkencore, shprehin shqetësim për shpërthimet e fruthit në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Një nga zonat më të prekura është Teksasi, shteti ku Anglia do të luajë ndeshjen e parë kundër Kroacisë. Edhe në Dallas, pranë stadiumit ku skuadra e drejtuar nga Tomas Tuhel do të zhvillojë ndeshjen, janë regjistruar rastet e para të fruthit gjatë këtij muaji.
Nga ana tjetër, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), është regjistruar një rast i vetëm në Misuri, shteti ku “Tre Luanët” do të akomodohen gjatë turneut.
SHBA drejt vitit më të keq të shekullit për fruthin
Në vitin e kaluar, SHBA regjistroi 2,144 raste të fruthit, shifra më e lartë që nga viti 1991, ndërsa besohet se shumë raste të tjera nuk janë raportuar. Situata në vitin 2026 duket edhe më alarmante, pasi deri më 21 maj janë konfirmuar 1,952 raste, një numër që po i afrohet rekordit të vitit të kaluar. Për krahasim, gjatë 25 viteve të fundit, një vit mesatar ka regjistruar rreth 180 raste.
Rreziku i përhapjes në stadiume
Fruthi është një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse. Virusi mund të qëndrojë në ajër deri në dy orë pasi një person i infektuar kollitet, teshtin ose thjesht merr frymë. Në stadiume me dhjetëra mijëra tifozë, rreziku i përhapjes konsiderohet shumë i lartë. Lojtarët mund të bien në kontakt me tifozët gjatë festimeve, dhënies së fanellave apo aktiviteteve të tjera pas ndeshjeve. Po ashtu, familjarët dhe miqtë e tyre ndodhen shpesh në tribuna.
Ekspertët: Një Botëror me turma të mëdha është shqetësues
“Shpërthimet e këtij viti janë shumë më të mëdha se ato që SHBA ka parë zakonisht në dekadat e fundit,” deklaroi Mark Jit, profesor dhe drejtues i Departamentit të Shëndetit Global dhe Mjedisor në Universitetin e Nju Jorkut. “Ky është një shqetësim serioz sepse fruthi nuk është një sëmundje e lehtë. Ai mund të shkaktojë komplikacione të rënda dhe në disa raste mund të jetë fatal. Prandaj, një ngjarje që mbledh mijëra njerëz në ambiente të mbushura përbën rrezik.”
Ai theksoi se fruthi është një nga infeksionet më ngjitëse të njohura, duke u përhapur shumë më lehtë sesa gripi apo Covid-19. “Nëse një person me fruth ndodhet në një stadium të mbushur, ka shumë gjasa që të infektojë persona të pavaksinuar pranë tij,” shtoi eksperti.
Sipas tij, ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës po monitorojnë vazhdimisht gjendjen shëndetësore të lojtarëve, por problemi qëndron te fakti se një person mund ta përhapë virusin përpara se t’i shfaqet skuqja karakteristike në lëkurë.
Vaksina MMR, mbrojtja më e fortë
Ekspertët theksojnë se lajmi i mirë është se dy doza të vaksinës MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) ofrojnë mbrojtje shumë të lartë. “Nëse e gjithë skuadra është plotësisht e vaksinuar, rreziku i një shpërthimi të fruthit brenda ekipit është jashtëzakonisht i ulët,” shpjegoi Jit.
Sipas të dhënave të qeverisë britanike, 84.4% e fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar marrin dy doza të vaksinës MMR deri në moshën pesëvjeçare. Megjithatë, kjo mbetet nën pragun prej 95% që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron të nevojshëm për imunitetin kolektiv. Britania e Madhe humbi statusin e vendit pa fruth në vitin 2018, ndërsa sipas një raporti të revistës mjekësore “The Lancet”, edhe SHBA rrezikon të humbasë të njëjtin status.
Simptomat dhe komplikacionet
Simptomat e fruthit zakonisht shfaqen 7 deri në 14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit, por në disa raste mund të duhen deri në 21 ditë. Shenjat fillestare përfshijnë temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh dhe skuqje të syve, ndërsa më pas shfaqet një puçërr e kuqe që nis nga fytyra dhe përhapet në pjesët e tjera të trupit. Personat e pavaksinuar që ekspozohen ndaj virusit mund të detyrohen të qëndrojnë në karantinë për 21 ditë.
Komplikacionet e fruthit mund të jenë shumë serioze, duke përfshirë verbërinë, shurdhimin dhe infl amacionin e trurit (encefalitin), ndërsa në raste të rralla sëmundja mund të shkaktojë edhe vdekje.
Rritja e rasteve të fruthit po ndodh paralelisht me shqetësimet globale për përhapjen e sëmundjeve të tjera infektive, duke e bërë aspektin shëndetësor një nga sfidat më të mëdha të Kupës së Botës 2026.
