Furrat e bukës shqetësohen për POS, kufizojnë blerjet me kartë

Pas transportit, edhe furrat e bukës shqetësohen për POS: kufizojnë blerjet me kartë nën 1 mijë lekë

Pas shoqatave të transportit publik, shqetësimi lidhur me instalimin dhe përdorimin e pajisjeve POS/POI për pagesa me kartë bankare është ngritur tashmë edhe nga prodhuesit e bukës.

Në një njoftim të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, vihet në dukje se për shkak të kostove të komisioneve bankare, shumë dyqane të shitjes së bukës në vend nuk lejojnë kryerjen e blerjeve me kartë për shuma të vogla, nga 500 deri në 1,000 lekë.

Në njoftim theksohet se bizneset përballen me kosto të larta nga komisionet bankare në transaksionet elektronike. Për pasojë, disa subjekte kanë vendosur kufizime për përdorimin e kartës në blerje të vogla ose u kanë kërkuar klientëve të mbulojnë vetë koston e komisionit.

Sipas shoqatës, mospërdorimi i kartës bankare për blerje nën këtë vlerë mund të kufizojë ofrimin e shërbimit, veçanërisht për turistët e huaj, të cilët gjatë sezonit veror rrisin ndjeshëm kërkesën.

“Po vjen periudha e verës ku përdorimi i blerjeve me kartë nga turistët është rritur së tepërmi. Shumë nga kolegët tanë ankohen se në këto blerje komisioni bankar merr një pjesë të konsiderueshme të fitimit. Ne po bëjmë kontakte institucionale, por secili biznes duhet të ndërmarrë hapa mbrojtës. Disa kolegë po aplikojnë mospërdorimin e kartës deri në kuotën 500–1000 lekë, ose vendosjen e njoftimit që komisioni bankar të paguhet nga vetë klienti,” thuhet në njoftim.

Shoqata shton se bizneset mund të aplikojnë forma të tjera mbrojtëse, në varësi të aktivitetit të tyre.

Detyrimi për instalimin e pajisjeve POS krijoi shqetësim dhe konfuzion edhe te operatorët e transportit publik. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ngriti disa herë shqetësimin se procesi mbetet i paqartë për sa i përket pagesës së kostove të komisioneve. Për një biletë me çmim 40 lekë, kostoja fikse për çdo transaksion të pagesës është 30 lekë.

Më tej, sipas shoqatës, operatorët nuk janë ende gati për instalimin e pajisjeve, pasi procesi është teknikisht i pazbatueshëm për kushtet aktuale të transportit urban.

Në transportin urban publik, operatorët ende nuk kanë nisur të instalojnë pajisjet POS. Pak ditë më parë, përmes një kërkese dërguar 13 bankave, ata kërkuan të njihen me kostot e procesit, duke përfshirë komisionet për transaksionet bankare, instalimin e pajisjeve, kostot e mirëmbajtjes etj.

Scroll to Top