Konferenca për shtyp e Maran/ “Izraeli i vështirëson lojën kundërshtarëve”, trajneri italian: Sfida për të përshtatur idetë tona në fushë
Rolando Maran ka mbajtur konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër Izraelit. Ndeshja e nesërme shënon debutimin e tij si trajneri i ri i Shqipërisë.
Maran theksoi disponibilitetin e jashtëzakonshëm të treguar nga lojtarët, duke shtuar se nuk është e lehtë të luash në ndeshje të tilla, veçanërisht kur lojtarët vijnë nga një fund sezoni i vështirë dhe stresues. Ai vlerësoi profesionalizmin e tyre.
Trajneri foli për shumë ide që ka në mendje, duke theksuar rëndësinë e një skuadre funksionale edhe në aspektin fizik, si dhe identifikimin e lojtarëve me cilësi më të larta. Ai u shpreh se këto dy ndeshje do të jenë matëse force dhe duhet të merren parasysh të gjithë lojtarët për të dyja sfidat.
Maran përsëriti disponibilitetin e mirë të lojtarëve, duke theksuar se ky është një element kyç, së bashku me kurajon për të dalë në fushë dhe dhënien e një paraqitjeje sa më të mirë. Fokusi kryesor është që Shqipëria të shfaqet si një skuadër që synon të luajë sa më mirë.
Ai pranoi se ka qenë sfiduese të përkthehen idetë e përgatitura për atë që pritet në fushë. Megjithatë, dëshira dhe motivimi i lojtarëve janë elementë që i kanë pëlqyer trajnerit, ndërsa pret të shohë si do të shfaqen këto në lojën e tyre.
Maran nënvizoi vështirësinë e ndeshjes kundër Izraelit, duke shpjeguar se ata e bëjnë kundërshtaret të luajnë keq dhe t’i vënë në vrap pa top. Për këtë arsye, skuadra duhet të tregojë intensitet të lartë dhe të mos lërë hapësira për kundërshtarin. Ai e konsideroi ndeshjen një test të mirë dhe stimulues për lojtarët.
Duke folur për kohën e kufizuar për përgatitje, Maran tha se si trajner i një kombëtareje, kohërat janë gjithmonë të pakta për të implementuar idetë dhe për t’u njohur me lojtarët. Megjithatë, ai beson se koha e mjaftueshme është dhënë për të krijuar një koncept të qartë për mënyrën e lojës, ndërsa rëndësi ka si do të përkthehet kjo në fushë nga lojtarët.
Kjo periudhë ka shërbyer edhe për t’u njohur më mirë, jo vetëm me idetë dhe mënyrën e lojës, por edhe për të lejuar gabime dhe përmirësime. Maran theksoi nevojën për një qasje të duhur dhe përgatitje mendore të skuadrës. Ai pa sinjalet e qarta të gatishmërisë së skuadrës nga motivimi dhe energjia.
Rezultati dhe performanca janë të rëndësishme. Një performancë e mirë e shoqëruar me rezultat do të përbënte një ndeshje perfekte. Pavarësisht se janë ndeshje miqësore, rezultati mbetet i rëndësishëm, sidomos kur luhet në shtëpi dhe tifozët presin fitore.
Maran shpreson në një rezultat pozitiv dhe fitore, duke pranuar se do të jetë e vështirë. Ai e krahasoi situatën me ndeshje si PSG-Arsenal, duke shtuar se Shqipëria duhet të krijojë një ADN të sajën bazuar në karakteristikat e lojtarëve.
Trajneri theksoi rëndësinë e evolucionit të tij si trajner, duke vënë në diskutim idetë e tij vazhdimisht. Ai vuri në dukje se futbolli dhe lojtarët kanë ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit.
Ideali i tij është që skuadra, duke u bazuar te karakteristikat e lojtarëve, të mbyllë ndeshjen dhe të sigurojë një rezultat pozitiv. Do të përpiqen të fshehin vështirësitë dhe t’i krijojnë probleme kundërshtarit. Ai preferon një skuadër agresive, që kontrollon topin dhe hyn në fushë për fitore.
Kundër Izraelit, kjo do të jetë sfiduese pasi ata shfrytëzojnë detajet dhe posedimin e topit të rivalëve. Megjithatë, Maran kërkon që skuadra e tij të tregojë kurajo dhe personalitet në fushë.
Ai pranoi se ka provuar disa gjëra pavarësisht kohës së shkurtër, duke u bazuar te karakteristikat e lojtarëve për të gjetur sa më shumë zgjidhje. Fokusi ka qenë te cilësitë ofensive dhe mënyra si lojtarët i përgjigjen sulmit dhe ideve të tij. Priten ndryshime nga më parë.
Maran mbylli duke theksuar se koha ka qenë e pakët, me vetëm një stërvitje të fundit para ndeshjes, pas së cilës gjërat do të sqarohen më tej.
