GJKKO refuzon kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro

Edhe 6 muaj burg: GJKKO rrëzon kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me 6 muaj e 10 ditë burg, deri në shprehjen e Gjykatës së Lartë.

Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtarja Etleva Deda. Pas dëgjimit të qëndrimeve të avokatit mbrojtës dhe prokurorit të çështjes, ajo vendosi të mos e pranojë kërkesën.

Në shkallën e tretë të gjyqësorit, Goro ka bërë rekurs kundër vendimit të Apelit të Posaçëm. Apeli i Posaçëm kishte lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për dënimin e Goros me 2 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.

Pak javë më parë, Apeli shpalli vendimin e fajësisë për ish-kryebashkiakun. Pas përllogaritjes së ditëve të burgimit për këtë dosje, SPAK urdhëroi rikthimin e Goros në qeli.

Jorgo Goro u arrestua më 23 mars 2024. Për dënimin e parë, ku u akuzua për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, ai u lirua më 29 gusht të vitit të kaluar.

Scroll to Top