Seanca në Kushtetuese/ Logu: Në dosjen e McGonigal përmendet dhjetëra herë Edi Rama
Në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca publike për shqyrtimin e ankimit të Partisë Demokratike (PD), pas refuzimit të mazhorancës për ngritjen e dy komisioneve hetimore: njëri për McGonigal dhe tjetri për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Gjatë seancës dëgjimore, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, deklaroi se refuzimi i shumicës parlamentare për ngritjen e komisioneve përbën një cenim thelbësor të së drejtës kushtetuese të pakicës.
Logu theksoi, ndër të tjera, se në dosjen e McGonigal kryeministri Edi Rama përmendet dhjetëra herë.
“Kërkesat plotësonin të tre kushtet e përcaktuara nga jurisprudenca kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor. Edhe në përmbajtjen e kërkesave tona, edhe gjatë debatit parlamentar, është nënvizuar se komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë, duke respektuar parimet kushtetuese dhe duke u fokusuar te parimi i ndarjes së pushteteve, parimi i procesit të rregullt ligjor, respektimi i të drejtës së jetës private dhe paanshmërisë.
Bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, detyrimi për ofrimin e një formulimi alternativ kur vlerësohen apo ngrihen pretendime që cënojnë parimet kushtetuese nuk është detyrim i kërkuesve, por i atyre që ngrenë këtë pretendim – pra, i shumicës parlamentare. Në rastin konkret nuk ka pasur asnjë përpjekje të vetme për të ofruar një formulim alternativ të objektit të hetimit.
Nga ana tjetër, është pretenduar se kërkesa nuk është shoqëruar me fakte dhe prova që vërtetojnë se autoritetet shtetërore kanë kryer veprime të paligjshme që kërkojnë hetim parlamentar. Por kjo është tërësisht e pavërtetë dhe lehtësisht e verifikueshme. Kërkesa jonë për ngritjen e komisionit hetimor për McGonigal shoqërohej nga dokumente zyrtare të prodhuara nga drejtësia amerikane, dokumente zyrtare të drejtësisë shqiptare dhe të arbitrazhit. Në këtë kuptim, kushti për të shoqëruar kërkesën me dokumente ishte mëse i plotësuar nga dokumente, qoftë të SHBA-së, qoftë shqiptare.
Është ngritur pretendimi se nuk ka akuzë ndaj një zyrtari shqiptar. Por fakt është, në të gjitha dokumentet e drejtësisë amerikane të dorëzuara nga ana jonë, përmendet Kryeministri Edi Rama dhjetëra herë, por edhe zyrtarë të lartë shqiptarë që janë përfshirë në një formë apo tjetër,” nënvizoi Logu.
