Gjykata e Lartë i dërgon shkresë Ministrit të Financave, kërkon zhbllokimin e pagave të gjyqtarëve: Vendimi i Kushtetueses është detyrues
Publikuar më 02.09.2026 nga Shek
Gjykata e Lartë i ka kërkuar Ministrisë së Financave zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave për gjyqtarët. Ky veprim vjen pas informacioneve se pagesat janë bllokuar në sistemin e thesarit, si pasojë e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit numër 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.
Në një shkresë zyrtare drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe me dijeni ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, si dhe kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, argumenton se mungesa e një ligji të ri të miratuar nga Kuvendi ose e fondeve të planifikuara në buxhet nuk mund të përbëjnë arsye për pezullimin e zbatimit të vendimit kushtetues.
Gjykata e Lartë thekson se, në përputhje me vendimin numër 15/2026, Kuvendi kishte detyrimin të miratonte ndryshimet ligjore të nevojshme deri më 31 korrik 2026. Sipas interpretimit të Gjykatës së Lartë, pas kësaj date, formula e mëparshme e pagës së magjistratëve nuk mund të vijonte të kishte efekte juridike.
Në shkresë sqarohet gjithashtu se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar pasojat në rast mosveprimi të Kuvendit, duke u referuar formulës së lidhur me funksionarët e administratës së lartë publike, në përputhje me standardin e vendimit numër 35/2022.
Gjykata e Lartë i referohet edhe vendimit numër 435, datë 26 gusht 2026, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke nënvizuar se ky vendim nuk ka krijuar një politikë të re pagash, por ka konkretizuar zbatimin e detyrimit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas shkresës, për periudhën nga 1 gushti 2026 e në vijim, paga referuese bazë është llogaritur mbi bazën e pagës për pozicion prej 222.425 lekësh dhe shtesës së nivelit të kualifikimit prej 14.000 lekësh, duke arritur në total 236.425 lekë.
Gjykata e Lartë kundërshton gjithashtu argumentin se mungesa e planifikimit buxhetor mund të justifikojë bllokimin e pagave. Sipas saj, fondet shtesë mund të sigurohen përmes mekanizmave të parashikuar nga legjislacioni buxhetor, ndërsa detyrimi për zbatimin e vendimit kushtetues mbetet në fuqi.
Në përfundim të shkresës, Gjykata e Lartë kërkon nga Ministria e Financave:
- Zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave mujore të gjyqtarëve.
- Zbatimin e pagës referuese bazë nga 1 gushti 2026.
- Alokimin e fondeve shtesë që mund të nevojiten për pagesat korrente.
- Trajtimin e diferencave financiare për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026, sipas vendimit të KLGJ-së.
“Respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është çështje vullneti institucional, por detyrim kushtetues për çdo organ të Republikës”, theksohet në përfundim të shkresës së firmosur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
