Homazhe për Enea Mekollin, Dëshmor i Atdheut, vrarë në Korçë

Homazhe në nderim të “Dëshmorit të Atdheut”, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë një operacioni policor në Korçë

Qyteti i Pogradecit do t’i japë sot lamtumirën e fundit Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës. Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, nga ora 10:00 deri në 12:00. Familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë do të mblidhen aty për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së tij.

Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të mbahet në orën 14:00 në fshatin Blacë. Enea Mekolli do të prehet aty mes dhimbjes së familjes dhe nderimit të komunitetit.

Figura e tij do të kujtohet si simbol i përkushtimit, përgjegjësisë dhe shërbimit ndaj vendit. Sakrifica e bërë në krye të detyrës mbetet një akt i lartë atdhedashurie.

Efektivi i policisë, Enea Mekolli, u vra gjatë një operacioni policor në Korçë, i cili kishte si qëllim kapjen e një personi shumë të kërkuar. Gjatë këtij aksioni, personi në fjalë hapi zjarr drejt policisë, duke shkaktuar vdekjen e Enea Mekollit dhe plagosjen e një tjetër efektivi.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli. Lavdi veprës dhe sakrificës së tij në shërbim të Shqipërisë.

Scroll to Top