Situata Klimatike Komplekse: Studimi Zbulon Se Humbja e Akullit në Antarktidë Brenda Pesë Dekadave Ngre Alarmin për Rritjen e Nivelit të Deteve
Një studim ndërkombëtar ka nxjerrë në pah se ritmi aktual i humbjes së akullit në Antarktidë mund të ofrojë një bazë të besueshme për qeveritë në planifikimin e masave kundër rritjes së nivelit të detit deri në mesin e këtij shekulli.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Nature”, thekson se periudha tre deri në pesë dekadat e ardhshme janë kyçe, pasi parashikimet për ndikimin e shkrirjes së akullit mbeten relativisht të sakta gjatë kësaj kohe. Pas kësaj periudhe, pritet që sjellja e shtresës së akullit antarktid të bëhet më e vështirë për t’u parashikuar për shkak të proceseve komplekse klimatike.
Hulumtimi, i udhëhequr nga Felicity McCormack nga programi “Securing Antarctica’s Environmental Future” (SAEF) në Universitetin Monash, në bashkëpunim me studiues nga Dartmouth College, Universiteti i Lirë i Brukselit dhe Instituti i Teknologjisë në Gjeorgji, analizoi modelet e përdorura në Raportin e Gjashtë të Vlerësimit të Panelit Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike (IPCC). Qëllimi ishte të vlerësohej nëse ritmi aktual i humbjes së akullit mund të shërbejë si tregues i besueshëm për rritjen e ardhshme të nivelit global të detit.
Rezultatet tregojnë se humbja aktuale e akullit në Antarktidë mbetet një tregues i fortë i kontributit që kontinenti do të japë në rritjen e nivelit të detit, pavarësisht skenarëve të emetimeve të gazrave serrë ose modeleve të përdorura. Studiuesit vlerësojnë se këto parashikime mund të mbështesin planifikimin e zonave bregdetare dhe strategjitë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike deri rreth vitit 2055.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se pas kësaj periudhe, pasiguritë do të rriten. Kjo për shkak se proceset e reagimit klimatik, si tërheqja e shtresave detare të akullit, mund të përshpejtojnë ndjeshëm procesin e shkrirjes. Autorët e studimit nënvizojnë se përmirësimi i monitorimit satelitor dhe zhvillimi i modeleve më të avancuara të shtresave të akullit do të jenë vendimtare për të rritur saktësinë e parashikimeve afatgjata.