Inflacioni arrin 2.8%: Pasojat e luftës në kosto të jetesës

Fillojnë të ndihen pasojat e luftës, inflacioni arrin 2.8%, niveli më i lartë në dy vjet

Kriza në Lindjen e Mesme ka filluar të japë efektin e saj në shtrenjtimin e kostos së jetesës për shqiptarët. Në muajin prill, inflacioni, i cili mat ndryshimin e çmimeve të shportës kryesore të mallrave, arriti në 2.8%, duke u rritur nga 2.6% që ishte në mars. Ky ndryshim vjen pas fillimit të luftës, e cila shkaktoi një rritje të menjëhershme të çmimeve të karburanteve mbi 200 lekë, nga 175 lekë që ishte deri në shkurt.

Ky është niveli më i lartë i inflacionit që nga janari 2024, periudhë kur vendi ende ndiente efektet e luftës Rusi-Ukrainë. Efekti kryesor në rritjen e çmimeve është shkaktuar nga transporti, i ndjekur nga qiratë.

Në mbledhjen e saj të fundit, Banka e Shqipërisë, e cila mban përgjegjësinë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, vendosi të mbajë normën bazë në 2.5%. Kjo normë është instrumenti kryesor përmes të cilit Banka e Shqipërisë kontrollon ofertën e parasë në treg.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi se parashikimet sugjerojnë se rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet botërore do të sjellë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit mbi objektivin gjatë vitit 2026. Gjithashtu, pritet një ngadalësim i vogël i ritmit të rritjes ekonomike në vend. Bazuar në këto premisa, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare dhe të mos lënë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit.

Sipas njoftimit të INSTAT, norma e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin prill 2026 ishte 2.8%, krahasuar me 2.3% në prill 2025. Në krahasim me mars 2026, çmimet e konsumit u rritën me 0.3%.

Rritja vjetore e çmimeve në prill 2026 u ndikua kryesisht nga:

  • Grupi “Transporti” me 8.5%
  • Grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4.7%
  • Grupi “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.1%
  • Grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 3.7%
  • Grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2.8%
  • Grupi “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 2.8%
  • Grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 2.7%
  • Grupi “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2.7%
  • Grupi “Shërbimi arsimor” me 2.0%
  • Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.3%

Krahasuar me mars 2026, rritja më e madhe e çmimeve u vërejt në grupin “Transporti” me 1.0%, i ndjekur nga grupet “Argëtim, sport dhe kulturë” me 0.9%, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 0.8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.7%, dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 0.5%.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0.2%.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor:

Rritja vjetore e çmimeve në prill u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +0.93 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0.55 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuan me +0.47 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0.19 pikë përqindje, çmimet e grupit “Restorante dhe shërbime akomodimi” me +0.16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0.13 pikë përqindje, çmimet e grupit “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0.12 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Argëtim, sport dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me +0.07 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0.06 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0.03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Informacioni dhe komunikimi” me +0.02 pikë përqindje.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Scroll to Top